ICMG paralajmëron Kosovën, rrezikon ta humbë organizimin e Lojërave Mesdhetare

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se kanë pranuar një letër të dërguar nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) në adresë të kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe të kryetarit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi.
Sipas kësaj letre, Kosova rrezikon ta humbë organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 për shkak të dështimit për t’i përmbushur detyrimet financiare dhe administrative.
Në letër thuhet se ICMG-ja nuk ka marrë përgjigje në një letër që e ka nisur nga 21 shtatori 2026 teksa edhe garancia bankare që duhej të përfundonte në janar të vitit 2026 mungon, derisa nuk është paguar as tarifa për muajin qershor 2026, transmeton albinfo.ch.
Bëhet e ditur se ICMG-ja ka paralajmëruar se problemet e evidentuara mund të rrezikojnë seriozisht përgatitjet për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. Më 19 dhjetor, Komiteti Ekzekutiv do ta shqyrtojë propozimin për thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e lojërave.
Përparim Rama e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për këto zhvillime.
“Ajo që kemi paralajmëruar vazhdimisht, sot po konfirmohet zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG). Tash, kur është radha e Qeverisë qendrore dhe Komitetit Organizativ, në krye të të cilit Albin Kurti e ka vendosur vetveten, si asnjë shtet tjetër, Kosova po rrezikon ta humbasë këtë mundësi historike! Sot, ICMG konfirmon mungesën e përgjigjeve institucionale dhe si rrjedhojë më 19 dhjetor do të shqyrtohet situata dhe do të procedohet me thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme që do të vendosë për të ardhmen e Lojërave. Kjo është humbja më e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj!”, ka shkruar ai.
Foto FB: Përparim Rama Foto FB: Përparim RamaThe post ICMG paralajmëron Kosovën, rrezikon ta humbë organizimin e Lojërave Mesdhetare appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



