Pensioni i 13-të në Zvicër: Disa pensionistë do të marrin më pak para

Pagesa e 13-të e pensionit AVS në Zvicër nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë përfituesit. Sipas Zyrës Federale për Sigurimet Shoqërore, shuma do të jetë më e ulët për personat që kanë dalë në pension gjatë vitit, si dhe në disa raste për çiftet e martuara.
Personat që kanë dalë në pension më 1 korrik ose pas kësaj date do të marrin vetëm gjysmën e një pensioni mujor si pagesë të 13-të, pasi llogaritja bëhet në mënyrë proporcionale.
Pagesat pritet të realizohen më 3 dhe 4 dhjetor, ndërsa nga kjo skemë do të përfitojnë rreth 2.7 milionë persona, një e treta e të cilëve jetojnë jashtë Zvicrës.
Pensionistët që jetojnë në Zvicër pritet të marrin mesatarisht 1.969 franga, ndërsa ata që jetojnë jashtë vendit rreth 702 franga. Mesatarja e përgjithshme e pagesës vlerësohet në 1.580 franga.
Në total, për pensionin e 13-të në dhjetor do të shpërndahen rreth 4.28 miliardë franga.
Ndërkohë, pagesa e 13-të nuk përfshin pensionet invalidore dhe pensionet e të vejave apo të vejve. Financimi afatgjatë i kësaj skeme do të jetë pjesë e votimit popullor në Zvicër më 29 nëntor, ku qeveria propozon rritjen e TVSH-së për 0.4 pikë përqindjeje.
The post Pensioni i 13-të në Zvicër: Disa pensionistë do të marrin më pak para appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



