Përplasje në distancë mes LVV-së dhe LDK-së për ndarje të pushtetit

Thumbat e kundërshtitë për kërkesat mes palëve që sollën mosarritjen e një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, po vazhdojnë edhe në distancë. Në mënyrë virtuale po peshohet ajo që është ofruar e refuzuar mes palëve.
Deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, ka përsëritur atë që e ka ofruar Lëvizja Vetëvendosje për dy partitë opozitare, LDK-në e PDK-në, si tani ashtu edhe në të kaluarën, duke e quajtur koncension tërheqjen e një emri politik për t’i lënë hapësirë atij konsensual në lidhje me çështjen e presidentit.
Megjithatë, Kërçeli reagimin e ka nisur me “asnjëri nga kandidatët e LDK-së, po as nga subjektet e tjera, nuk i ka mbi 120,000 vota.”
“Për PDK-në: po e zgjedhim një president konsensual dhe kryetarin e Kuvendit për PDK-në. Njërën nga tri pozitat e larta të shtetit. Dhe gjatë votimit për president mund të votoni kundër, mirëpo merrni pjesë në formimin e institucioneve. Për LDK-në, e cila me 30 deputetë kishte hyrë në qeverisje duke e dhënë edhe pozitën e presidentit, edhe kryeparlamentarit, zëvendëskryeministrin dhe tre ministra, ose kryetarin e Kuvendit e tri ministri, edhe pse sot i ka 18 deputetë. Po ashtu, edhe për deputetët e LDK-së: merrni pjesë në votim dhe votoni kundër”, thuhet në shkrimin e deputetit të LVV-së.
Ndonëse nuk përmendi emra, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i është përgjigjur kritikave se subjekti i tij politik po kërkon shumë.
Gashi ka kujtuar bashkëqeverisjen e kaluar kur një ministër dhe një nënkryetar i LDK-së u shkarkua duke rënë në kundërshtim me marrëveshjen që kishin pasur me LVV-në, e që solli rrëzimin e Qeverisë dhe asnjëherë më koalicion.
Gashi ka thënë se me 53 deputetë LVV dhe 18 LDK, raporti është 3 me 1 dhe ky parim duhet të vlejë edhe për ndarjen e pushtetit, dy për forcën e madhe dhe një për forcën e dytë.
“Pra, LVV-së, si forcë më e madhe, i takon të zgjedhë cilat dy prej tyre i konsideron prioritare: Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit, ose Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit. Kjo është ndarje proporcionale. Kjo është ndarje e drejtë. Por problemi nuk është vetëm Presidenti. Problemi është më i thellë: mungon mirëbesimi, nuk ka ende program të përbashkët dhe dallimet në politikën e jashtme, ekonomike, sociale dhe mënyrën e qeverisjes janë të mëdha. Edhe çështja e Presidentit është e zgjidhshme. Nuk ka arsye që nga 80 e më shumë deputetë të mos gjendet një kandidat i denjë. Nëse një emër nuk është i pranueshëm, ka të tjerë. Pra, emri nuk është problemi kryesor”, ka thënë Gashi mes tjerash në një shkrim të gjatë në Facebook.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë refuzuar ftesat për takim të kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në lidhje me konstituimin e institucioneve, në veçanti – zgjidhjen e çështjes së presidentit.
LDK-ja pranoi ftesat për takim mirëpo pas përfundimit të atij të fundit, kreu i kësaj partie deklaroi se janë shumë larg një marrëveshjeje.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



