“Peshkim i dështuar”, Lushaku: Dy deputetë të LDK-së u kontaktuan nga LVV-ja

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se grupi parlamentar i kësaj partie është i bashkuar dhe nuk po përballet me asnjë trysni të brendshme, pavarësisht tentimeve për të “peshkuar” deputetë individualë. Në një deklaratë për RTV21, Lushaku-Sadriu tha se dy deputetë të LDK-së janë kontaktuar më herët, por ata kanë […]

“Peshkim i dështuar”, Lushaku: Dy deputetë të LDK-së u kontaktuan nga LVV-ja

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se grupi parlamentar i kësaj partie është i bashkuar dhe nuk po përballet me asnjë trysni të brendshme, pavarësisht tentimeve për të “peshkuar” deputetë individualë.

Në një deklaratë për RTV21, Lushaku-Sadriu tha se dy deputetë të LDK-së janë kontaktuar më herët, por ata kanë dhënë përgjigjen e duhur dhe nuk kanë lëkundur qëndrimin e tyre.

Ajo e cilësoi grupin parlamentar të LDK-së si të konsoliduar politikisht dhe pa asnjë dilemë të brendshme.

“Ne nuk kemi shqetësime brenda grupit tonë parlamentar, nuk e kemi as si ndjesi. Ne jemi grup shumë kompakt politik, me një shumicë të deputetëve të rinj, nuk ka dilema. Më herët dy deputetë të LDK-së janë kontaktuar, por ata e kanë marrë përgjigjen e duhur”, tha ajo.

Lushaku-Sadriu, gjithashtu, vlerësoi se problemi real qëndron te Lëvizja Vetëvendosje, e cila sipas saj, po përballet me mungesë të shumicës parlamentare dhe për këtë arsye po tenton ta bllokojë procesin në Kuvendin e Kosovës.

“Ne mendojmë se, ashtu siç është, partia me numër më të madh të votave e ka obligim ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Problemi real i kësaj partie është se, duke parë që ka mungesë të numrave, po tenton ta pengojë Kuvendin e Kosovës”, u shpreh deputetja e LDK-së.