Pishinat verore të Cyrihut thyejnë rekord, mbi 3 milionë hyrje këtë sezon

Në 15 pishinat verore që menaxhohen nga Zyra e Sportit e qytetit të Cyrihut janë regjistruar mbi tre milionë hyrje gjatë sezonit 2026. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë, duke tejkaluar ndjeshëm rekordin e mëparshëm të vitit 2023, kur në fund të sezonit ishin numëruar 2.44 milionë hyrje, përcjell albinfo.ch.
Vetëm gjatë korrikut janë regjistruar mbi 890 mijë hyrje. Fundjava më e frekuentuar ishte ajo e 27 dhe 28 qershorit, ndërsa rekordi ditor u shënua më 21 qershor, kur rreth 80 mijë persona vizituan pishinat e qytetit. Pishinat Tiefenbrunnen dhe Mythenquai ishin ndër më të vizituarat.
Interesimi i madh është reflektuar edhe në shitjen e abonimeve sezonale. Gjatë këtij viti janë shitur rreth 45,400 abonime, afro 6 mijë më shumë se një vit më parë. Zyra e Sportit e Cyrihut e ka cilësuar sezonin 2026 si më të suksesshmin deri më tani për sa i përket numrit të hyrjeve.
Valët e të nxehtit sollën edhe vështirësi për funksionimin e pishinave. Për shkak të thatësisë janë regjistruar raste të thyerjes së degëve të pemëve dhe tharjes së sipërfaqeve me bar, ndërsa në disa pishina është dashur të shtohet më shumë ujë i freskët për të ruajtur cilësinë e ujit. Në disa zona pranë liqenit dhe lumenjve, niveli i ulët i ujit ka bërë që disa trampolina të mbyllen përkohësisht.
Për nëntë nga pishinat verore sezoni përfundon më 20 shtator, ndërsa Letzigraben, Auhof, Mythenquai dhe Tiefenbrunnen do të qëndrojnë të hapura deri më 27 shtator. Utoquai dhe Freibad Seebach do të vazhdojnë sezonin deri më 25 tetor
The post Pishinat verore të Cyrihut thyejnë rekord, mbi 3 milionë hyrje këtë sezon appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



