Policia kontrollon 90 persona në një protestë të paautorizuar në Bernë, dy arrestime

Policia kantonale e Bernës kontrolloi rreth 90 persona gjatë një demonstrate të paautorizuar të zhvilluar të dielën në qendër të qytetit. Dy persona u ndaluan përkohësisht, ndërsa dy të tjerë u larguan nga zona me urdhër të policisë.
Autoritetet kishin ndërmarrë masa të gjera sigurie, duke bllokuar disa hyrje drejt Qytetit të Vjetër dhe duke vendosur forca policore përgjatë itinerarit të protestës. Në terren ishin edhe automjete me topa uji dhe qen policorë.
Demonstrata u mbajt pikërisht një vit pas protestës pro-palestineze, gjatë së cilës në Bernë kishin shpërthyer përleshje të dhunshme. Këtë herë, pavarësisht disa momenteve të tensionuara, situata mbeti kryesisht e qetë, pa incidente të mëdha, sipas policisë kantonale.
Një 23-vjeçar u kap me disa thika
Një nga rastet që tërhoqi vëmendjen e autoriteteve ndodhi në rrugën Effingerstrasse. Sipas policisë, personi i ndaluar është një shtetas zviceran 23-vjeçar, i cili, bazuar në të dhënat e deritanishme, nuk kishte marrë pjesë në demonstratë.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi disa thika. I riu u dërgua në një stacion policor për verifikime të mëtejshme. Ndaj tij pritet të bëhet kallëzim penal për mbajtjen e sendeve të rrezikshme në hapësira publike.
Grupet lëviznin me shpejtësi nëpër qytet
Organizatorët kishin paralajmëruar se tubimi do të zhvillohej në mënyrë dinamike dhe pa konfrontime. Në vend të një pike të vetme takimi, ishin paraparë disa lokacione, ndërsa gjatë pasdites pjesëmarrësit udhëzoheshin përmes një kanali informues që të lëviznin shpejt drejt vendeve të reja.
Në disa raste, grupe demonstruesish vrapuan nëpër rrugët e qytetit, ndërsa policia i ndoqi dhe bllokoi, ndër të tjera, të gjitha urat që çonin drejt Qytetit të Vjetër.
Policia kantonale nuk bëri të ditur numrin e efektivëve të angazhuar, duke iu referuar arsyeve taktike. As shpenzimet e operacionit nuk janë përcaktuar ende. Ato do të llogariten në kuadër të marrëveshjes ekzistuese për burimet policore ndërmjet kantonit dhe qytetit të Bernës. /Albinfo.ch
The post Policia kontrollon 90 persona në një protestë të paautorizuar në Bernë, dy arrestime appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



