Pothuajse gjysma e të anketuarve në Zvicër kanë rezerva për më së shumti tre muaj pa të ardhura

Pothuajse gjysma e të anketuarve në Zvicër kanë rezerva për më së shumti tre muaj pa të ardhura

Pothuajse gjysma e personave të anketuar në Zvicër nuk do të mund ta ruanin standardin e tyre aktual të jetesës për më shumë se tre muaj pa të ardhura. Këtë e tregon një studim i Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Cyrihut (ZHAW), i publikuar më 29 tetor, raporton SRF, transmeton albinfo.ch.

Megjithëse 83 për qind e të anketuarve kursejnë të paktën herë pas here dhe 43 për qind rregullisht, rezervat mbeten të kufizuara. Afërsisht 15 për qind nuk kanë fare mjete financiare të disponueshme, ndërsa për 30 për qind të tjerë ato do të mjaftonin vetëm për një deri në tre muaj. Në anën tjetër, pothuajse një e katërta mund të përballonte më shumë se një vit pa të ardhura.

Të ardhurat e larta nuk garantojnë domosdoshmërisht siguri financiare. Edhe ndër familjet me të ardhura mujore prej së paku 10.000 frangash, më shumë se një në katër të anketuar ka rezerva për maksimumi tre muaj. Sipas ekspertes së ZHAW-së, Selina Lehner, kursimi i rregullt nuk nënkupton automatikisht përgatitje të mjaftueshme për humbjen e të ardhurave.

Vështirësitë shfaqen edhe në përballimin e detyrimeve të zakonshme. Pothuajse një në katër persona është detyruar të marrë para hua gjatë vitit të fundit, ndërsa 29 për qind kanë pasur të paktën një herë gjatë pesë vjetëve të fundit vështirësi për t’i paguar tatimet brenda afatit.

Rritja e shpenzimeve fikse është shqetësimi kryesor financiar për 22 për qind të të anketuarve. Pas saj renditen sigurimi i pamjaftueshëm financiar për pleqërinë dhe frika se nuk do të mund t’i përmbushin synimet e ardhshme.

Studimi u realizua përmes një ankete në internet në qershor 2026, me pjesëmarrjen e 963 personave të moshës 18 deri në 79 vjeç.

The post Pothuajse gjysma e të anketuarve në Zvicër kanë rezerva për më së shumti tre muaj pa të ardhura appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.