Probleme në trafikun ajror mbi Itali, anulohen edhe fluturime të Swiss nga Cyrihu

Trafiku ajror mbi Itali është duke u përballur me probleme prej disa orësh, për shkak të një defekti në rrjetin e transmetimit të të dhënave të shërbimeve të kontrollit të trafikut ajror, transmeton albinfo.ch.
Autoriteti italian i kontrollit ajror, Enav, me seli në Romë, ka njoftuar se që nga ora 06:00 janë vendosur në fuqi masa për menaxhimin dhe kufizimin e trafikut ajror.
Si pasojë e këtij problemi, në hapësirën ajrore italiane po lejohen të qarkullojnë më pak avionë se zakonisht. Kufizimet prekin si fluturimet që nisen nga aeroportet italiane apo që kanë destinacion Italinë, ashtu edhe avionët që kalojnë përmes hapësirës ajrore të këtij vendi.
Të prekura edhe fluturimet e Swiss
Problemet kanë ndikuar edhe në operacionet e kompanisë ajrore zvicerane Swiss. Sipas informacionit të publikuar në faqen e saj zyrtare, disa fluturime të planifikuara në orët e mëngjesit nga Cyrihu drejt Milanos, Firences dhe Bolonjës janë anuluar për shkak të kufizimeve në hapësirën ajrore.
Deri më tani, autoritetet italiane nuk kanë dhënë hollësi të tjera për shkaqet e defektit. Megjithatë, Enav ka përjashtuar mundësinë që ndërprerjet të jenë shkaktuar nga ndonjë sulm kibernetik apo akt sabotazhi.
Në njoftimin e autoritetit thuhet se është përjashtuar mundësia që problemi të jetë rezultat i veprimeve të qëllimshme keqdashëse./Albinfo.ch.
The post Probleme në trafikun ajror mbi Itali, anulohen edhe fluturime të Swiss nga Cyrihu appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



