Pronari shqiptar përballet me grabitësin në piceri në Zvicër: Ia mora thikën që të mos e vriste vajzën

Një grabitje e armatosur ka tronditur një piceri në Villmergen të kantonit Aargau, ku pronari shqiptar, Zelal Selimi, ndërhyri për të mbrojtur vajzën e tij, raporton albinfo.ch. Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje, kur një burrë i maskuar hyri në piceri me thikë për të grabitur paratë, transmeton albinfo.ch.
Selimi ndodhej jashtë lokalit kur kuptoi se çfarë po ndodhte. Ai hyri brenda dhe iu afrua grabitësit pasi pa se thika ndodhej vetëm rreth 40 deri në 50 centimetra larg kokës së vajzës së tij.
“Hyra dhe ndërhyra për t’ia marrë thikën, që të mos e vriste vajzën time”, ka treguar Selimi për mediat zvicerane.
Ai e kapi grabitësin për kyçi të dorës, ia ktheu krahun pas shpine dhe arriti t’ia marrë thikën. Më pas e ndoqi dhe e nxori nga piceria. Gjatë përleshjes, Selimi pësoi lëndime të lehta në të dyja duart.
Grabitësi u largua me një trotinet elektrik, por nuk arriti të shkonte larg. Sipas Policisë Kantonale të Aargaut, një polic që ndodhej jashtë detyrës e vërejti të dyshuarin dhe e ndaloi pak më vonë. Bëhet fjalë për një 36-vjeçar nga Serbia, me banim në rajon, i cili u arrestua përkohësisht, transmeton tutje albinfo.ch.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në Villmergen, pasi vetëm disa ditë më herët një furrë buke në të njëjtin vend ishte grabitur gjithashtu me thikë. Policia po heton nëse dy rastet kanë lidhje me njëra-tjetrën.
“Për fat të mirë, babai im arriti ta zgjidhte situatën”, ka thënë vajza e Selimit për 20 mintuen. Sipas saj, situata mund të kishte përfunduar shumë më rëndë nëse policia nuk do të kishte arritur me kohë. /Albinfo.ch
The post Pronari shqiptar përballet me grabitësin në piceri në Zvicër: Ia mora thikën që të mos e vriste vajzën appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



