Protestuesit dorëzojnë në SPAK librin "The Albanian Files" kundër kryeministrit Edi Rama

Protestuesit dorëzojnë librin "The Albanian Files" në SPAK kundër kryeministrit Edi Rama
Protestuesit kanë dorëzuar paraditen e së mërkurës në SPAK librin The Albanian Files, një përmbledhje që sipas tyre dëshmon shkeljet më të rënda të kryeministrit Edi Rama. Aktivistja Sidorela Vatnikaj njoftoi se protestuesit kanë mbledhur edhe firma për këtë qëllim dhe kanë paralajmëruar se do të paraqesin një padi kundër Ramës.
Sipas aktivistëve, libri përmban 523 projekte të ndryshme që dëshmojnë për shkelje të ligjit, mungesë të konsultimit publik dhe konflikte interesi. Sidorela Vatnikaj tha se dorëheqja e kryeministrit është kërkesa e tyre e panegociueshme dhe shprehu mbështetje të plotë për SPAK në hetimin e Ramës.
“Ne qytetarë të Shqipërisë dhe protestues prej më shumë se 31 ditësh në shesh, jemi sot këtu për të sjellë provën që sipas nesh dëshmon shkeljet më të rënda të kryeministrit. Në këtë libër gjenden 523 projekte të ndryshme. Në këtë libër gjenden dhe mund të lexohen disa prej problemeve më të mëdha të kësaj qeverisjeje. Rama e ka shmangur konsultimin publik. Ligji 21/24 është ligj që është miratuar për shkak të projekteve të ndryshëm që gjenden në këtë libër vite përpara se të ndryshohej ligji. Në të ka pronarë që nuk kanë dijeni për ekzistencën e këtyre projekteve. Ka një konflikt interesi mes kryeministrit, arkitektëve dhe biznesmenëve të ftuar sepse Rama është kryetar i KKT dhe vendos për miratimin e këtyre projekteve. SPAK ka mbështetjen tonë për veprimet e deritanishme. Ne s’jemi këtu për drejtësi popullore, por për shtet të së drejtës ku kryeministri i vendit trajtohet dhe hetohet si gjithë qytetarët e tjerët”, tha Vatnikaj.
Pas dorëzimit të librit, Sidorela Vatnikaj njoftoi se Prokuroria e Posaçme e ka mbajtur dokumentin dhe do t’i përgjigjet në ditët në vijim. Ajo shtoi se do të paraqesin edhe një kallëzim penal kundër Ramës.
“SPAK e mbajti librin që ne dorëzuam. Pas deklaratës sonë publike, ata e mbajtën librin The Albanian Files si dokument dhe na thanë të presim përgjigje në ditët në vijim. Do të kemi edhe kallëzim penal që po përgatitet nga juristë dhe avokatë. Kemi pretendime se ligji është ndryshuar me porosi, s’ka pasur konsultim publik. Na thanë se s’ka nevojë t’i sjellim me postë, por do t’i sjellim bashkë me kallëzimin penal. Sot denoncimi për në SPAK është një nga aktet që kemi bërë, por sot vijojmë me protestën në orën 19:00”, tha Vatnikaj.
Aktivistja shprehu besim në drejtësinë e re dhe thirri kundër Ramës me sloganin “Rama SPAK you”, duke iu përgjigjur thirrjes së tij me gjuhën që aktivistët përdorin.
“Sot fakti që ne po dorëzojmë atë që ne mendojmë si aktin e krimit, po ia besojmë SPAK-ut për të filluar hetimet, tregon që kemi besim te drejtësia e re dhe pritshmëri. ‘Rama SPAK you’ është përgjigjja jonë ndaj tij për ‘fuck you’, i kthejmë përgjigje me gjuhën që ne njohim”, tha Vatnikaj.
Aktivisti Andi Tepelena nga dera e SPAK tha se protesta çdo ditë prodhon akte të forta që tregojnë se qeveria e Ramës është e kapur nga krimi. Ai theksoi se protesta do të vijojë deri në dorëheqjen e tij.
“Çdo ditë prodhojmë akte të forta politike që delegjitimojnë qeverinë Rama. Po tregojmë që kjo qeveri është e kapur nga bandat dhe oligarkia. Kjo është rezistenca jonë. Nuk ka afat, do të zgjasë në kohë deri në dorëheqjen e Ramës, të panegociueshme.
Lëvizja është e qëndrueshme, numrat janë të qëndrueshëm. Ka ditë që numrat janë më pak, por te protestat që janë kombëtare numrat trefishohen. Janë metoda me të cilat Rama anatemon njerëzit. Unë kam treguar në disa protesta që jam kundër Ramës. Çdo metodë e tij për të denigruar individë të caktuar mobilizon më shumë qytetarët.
Siç e ka treguar, është vetë pjesëmarrja ajo që do të përcaktojë sesi do të vijohet. Mund të kemi edhe një dhuratë për Ramën më 4 korrik, që Rama ta bëjë ditëlindjen në katundin e vet, por duhet të vihet para drejtësisë njëherë. Data 4 do të jetë e fuqishme, ku do të bashkohen shumë qytetarë. Filozofia jonë është ta shkojmë deri në fund protestën paqësore, deri në dorëheqjen e Ramës”, tha Andi Tepelena.
Me pak fjalë
Protestuesit kanë dorëzuar në SPAK librin The Albanian Files, një përmbledhje që pretendon të dëshmojë shkeljet e kryeministrit Edi Rama. Aktivistët kanë mbledhur firma dhe kanë paralajmëruar për një padi kundër tij, duke kërkuar dorëheqjen e tij të panegociueshme. Protesta do të vijojë deri në arritjen e këtij qëllimi.
Personat e përmendur
- Edi Rama - Kryeministër i Shqipërisë
- Sidorela Vatnikaj - Aktiviste
- Andi Tepelena - Aktivist
Burimi i lajmit: opinion.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.




