Protestuesit nuk ndalen, nga sheshi ‘Skënderbeu’ marshojnë për te EULEX-i

Protestuesit që u mblodhën të premten mbrëma në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në kundërshtim të dënimit të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në orët e vona të mbrëmjes kanë vazhduar protestën drejt zyrave të EULEX-it.
Protesta e së premtes kishte nisur në orën 21:00 në sheshin “Skënderbeu”, nën moton “Jo në emrin tim”, ndërsa afër mesnatës një pjesë e protestuesve janë nisur drejt objektit të EULEX-it.
Kjo është nata e tretë me radhë që qytetarët protestojnë në Prishtinë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Protestat pranë EULEX-it kanë nisur që të mërkurën, menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara dënuan ish-presidentin Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.
Edhe natën pas shpalljes së aktgjykimit, protestuesit kishin lëvizur nga qendra e Prishtinës drejt bazës së EULEX-it. Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 22:30 një numër protestuesish që ndodheshin pranë objektit të Qeverisë ishin nisur drejt bazës së EULEX-it në rrugën Prishtinë–Fushë Kosovë. Atje ishin hedhur mjete të forta dhe mjete piroteknike, ndërsa një zjarr i vogël në një pjesë të objektit ishte shuar menjëherë. Protesta atë natë kishte përfunduar rreth orës 00:20.
Protestat në kryeqytet po zhvillohen në kundërshtim të aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së. Të premten, mijëra qytetarë morën pjesë në tubimet në Prishtinë, ndërsa gjatë protestës u dëgjuan brohoritje në mbështetje të UÇK-së.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



