Rrokadë diplomatike mes Shkupit dhe Prishtinës? Meidani drejt Kosovës, Petrit Malaj përflitet për ambasador në Shkup

Zhvillimet e fundit në Maqedonin e Veriut, ku studentët shqiptarë prej muajsh protestojnë për të drejtën e zhvillimit të provimeve të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duket se kanë reflektuar edhe në raportet diplomatike mes Shkupit dhe Tiranës zyrtare. Burime diplomatike jozyrtare flasin për pakënaqësi të qarqeve politike në Shkup ndaj qëndrimeve publike të ambasadorit shqiptar në Shkup, Denion Meidani, i cili është parë hapur në mbështetje të studentëve shqiptarë, përfshirë edhe protestën e fundit në kryeqytet.
Sipas burimeve diplomatike, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, raportohet se ka marrë ankesa nga përfaqësues të partisë qeverisëse VMRO-DPMNE lidhur me angazhimin publik të ambasadorit shqiptar në zhvillimet e fundit politike dhe studentore në vend.
Në korridoret diplomatike në Tiranë po qarkullojnë diskutime për një përfundim të parakohshëm të mandatit të Meidanit në Shkup dhe një zëvendësim të mundshëm të tij me ambasadorin aktual të Shqipërisë në Prishtinë, Petrit Malaj. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga institucionet shqiptare apo maqedonase për një vendim të tillë.
Pas publikimit të lajmeve për lëvizje të mundshme diplomatike në aksin Shkup–Prishtinë, reagime të shumta kanë ardhur nga intelektualë dhe aktivistë shqiptarë në Maqedonia e Veriut, të cilët kanë dalë publikisht në mbrojtje të ambasadorit Meidani, duke e cilësuar praninë dhe mbështetjen e tij ndaj studentëve si qëndrim në mbrojtje të të drejtave themelore të shqiptarëve.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



