Serbia në krye të listës për përhapje të dezinformatave ruse, zbulon një studim ndërkombëtar
Një hulumtim i kryer nga Qendra për Informacion, Demokraci dhe Qytetari në Universitetin Amerikan të Bullgarisë ka nxjerrë në pah rolin e rëndësishëm të Serbisë në shpërndarjen e propagandës ruse. Sipas të dhënave të mbledhura nga rrjeti “Pravda” – një platformë e ngritur pas ndalimit të mediave shtetërore ruse në BE – Serbia renditet e […] The post Serbia në krye të listës për përhapje të dezinformatave ruse, zbulon një studim ndërkombëtar appeared first on Albinfo.

Një hulumtim i kryer nga Qendra për Informacion, Demokraci dhe Qytetari në Universitetin Amerikan të Bullgarisë ka nxjerrë në pah rolin e rëndësishëm të Serbisë në shpërndarjen e propagandës ruse. Sipas të dhënave të mbledhura nga rrjeti “Pravda” – një platformë e ngritur pas ndalimit të mediave shtetërore ruse në BE – Serbia renditet e katërta në botë për përqindjen e lartë të përmbajtjeve dezinformuese për kokë banori, përcjell albinfo.ch.
Analiza, e cila përfshiu mbi 643 mijë artikuj të publikuar nga dhjetori 2024 deri në mars 2025 në 45 vende, tregon se më shumë se gjysma e materialeve ishin të përqendruara në ish-republikat sovjetike dhe Ballkanin. Në këtë listë kryesojnë Moldavia, Letonia, Estonia dhe Serbia – ku niveli i përmbajtjeve është 31 herë më i lartë sesa në vendet perëndimore.
Hulumtimi përshkruan rrjetin “Pravda” si një “ekosistem global të dezinformimit”, me mbi 190 faqe aktive në 83 vende. Qëllimi: ndikimi politik dhe kulturor në rajone me interes strategjik për Moskën. Sipas raportit, përqendrimi i propagandës është mbi 50 herë më i madh në Ballkan sesa në demokracitë perëndimore.
“Objektivi është i qartë – dobësimi i orientimit euroatlantik përmes ndarjeve të brendshme dhe mosbesimit ndaj institucioneve demokratike”, theksohet në raport.
Vendet e Ballkanit përbëjnë vetëm 3.2% të popullsisë globale, por absorbojnë 16.2% të përmbajtjes së rrjetit “Pravda”. Përkundrazi, Evropa Perëndimore, me 43.7% të popullsisë, merr vetëm 21.3% të kësaj përmbajtjeje.
Raporti gjithashtu ngre shqetësim për vendimin e administratës amerikane për të ndërprerë financimin e Radios Evropa e Lirë – një nga zërat më të fuqishëm në luftën kundër propagandës ruse në rajon. Me një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti Donald Trump më 15 mars, është shkurtuar buxheti i Agjencisë për Mediat Globale, duke prekur drejtpërdrejt edhe REL-in. Kjo lëvizje është cilësuar si “gabim strategjik” në një kohë kur dezinformimi është në rritje.
The post Serbia në krye të listës për përhapje të dezinformatave ruse, zbulon një studim ndërkombëtar appeared first on Albinfo.