SHASIVARI: 46 MILIONË EURO PËR BURGJE SIPAS STANDARDEVE EVROPIANE

SHASIVARI: 46 MILIONË EURO PËR BURGJE SIPAS STANDARDEVE EVROPIANE

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, u takua me zëvendësguvernatorin e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), Tomas Boçek, me të cilin diskutoi për realizimin e projektit për rikonstruimin dhe modernizimin e institucioneve ndëshkuese-korrektuese në vend.
Projekti, me vlerë prej 46 milionë euro, është një investim i rëndësishëm në sistemin e ekzekutimit të sanksioneve dhe synon përmirësimin e kushteve për personat e dënuar dhe ata në paraburgim, në përputhje me standardet evropiane dhe kërkesat për trajtim dinjitoz.
Në takim u konstatua se aktivitetet po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë, ndërsa Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar që ky investim të shndërrohet në rezultate konkrete dhe kushte bashkëkohore në institucionet ndëshkuese-korrektuese.
Reforma në drejtësi nuk përfundon me ligje. Ajo matet edhe me kushtet në të cilat zbatohet drejtësia. Prandaj, modernizimi i sistemit penitenciar është pjesë e drejtpërdrejtë e angazhimit tonë për një sistem drejtësie që respekton standardet evropiane dhe dinjitetin njerëzor.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.