Sulmi ndaj tre fëmijëve në Cyrih, prokuroria kërkon 15 vjet burg për studentin kinez

Sulmi ndaj tre fëmijëve në Cyrih, prokuroria kërkon 15 vjet burg për studentin kinez

Një student kinez po përballet me gjykimin në Cyrih për tentativë vrasjeje ndaj tre fëmijëve pesëvjeçarë, të cilët u sulmuan me thikë më 1 tetor 2024 në Oerlikon, përcjell albinfo.ch.

Sipas aktakuzës, sulmi ishte planifikuar paraprakisht. I akuzuari dyshohet se kishte përdorur edhe ChatGPT dhe kishte blerë mish viçi për të praktikuar goditjet me thikë.

Gjatë seancës, prokurori deklaroi se nuk bëhej fjalë për një veprim impulsiv dhe kërkoi 15 vjet burgim pa kusht, si dhe 15 vjet dëbim nga Zvicra.

Prokuroria gjithashtu kundërshtoi vlerësimin e psikiatrit se i akuzuari ishte plotësisht i paaftë për të mbajtur përgjegjësi penale në momentin e sulmit. Sipas prokurorit, ai e dinte se veprimi ishte i gabuar dhe i ndaluar.

Në anën tjetër, eksperti psikiatrik, profesor Elmar Habermeyer, ka vlerësuar se i akuzuari në kohën e sulmit nuk ishte në gjendje të kontrollonte veprimet e tij. Ai e ka diagnostikuar me çrregullim psikotik ose episod të rëndë depresiv dhe ka konsideruar të ulët rrezikun e përsëritjes së veprës.

Avokatja e njërit prej fëmijëve të plagosur ka kërkuar 30 mijë franga dëmshpërblim, ndërsa ka shprehur dyshime mbi përfundimet e ekspertizës psikiatrike.

Gjykata në Zürich pritet të vazhdojë shqyrtimin e rastit dhe më pas të vendosë për përgjegjësinë penale dhe masën e dënimit. /Albinfo.ch

The post Sulmi ndaj tre fëmijëve në Cyrih, prokuroria kërkon 15 vjet burg për studentin kinez appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.