Sveçla në Gjykatë: Ndihem i pafajshëm, nuk duhet të dënohem

Sveçla në Gjykatë: Ndihem i pafajshëm, nuk duhet të dënohem

I akuzuari, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, në fjalën përfundimtare para Gjykatës ka deklaruar se ndihet i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë, duke thënë se veprimet e tij në vitin 2018 kanë qenë aktivitet politik, me qëllim kundërshtimin e ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Sveçla tha se kundërshtimi i tij dhe i subjektit politik që përfaqësonte kishte për qëllim parandalimin e një vendimmarrjeje që ai vazhdon ta konsiderojë të dëmshme për Republikën e Kosovës, ndërsa theksoi se nuk ka pasur qëllim të rrezikojë jetën e askujt.

“Lidhur me rastin që akuzohem dua të deklaroj se veprimi për të cilin sot ndodhem para jush ka qenë aktivitet politik, me një qëllim të qartë, kundërshtimin dhe përpjekjen për të parandaluar ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, përmes së cilës Kosova humbi 8200 territor, demarkacioni ishte gabim atëherë dhe mbetet edhe sot. Koha që ka kaluar nga ato ngjarje nuk e ka zbehur arsyen e kundërshtimit tonë, përkundrazi, ajo e ka bërë edhe më të qartë se çfarë kemi kundërshtuar dhe çfarë kemi synuar të parandalojmë”, tha ai.

“Pavarësisht përpjekjeve tona, marrëveshja është ratifikuar, sot Kosova ka 8200 hektarë më pak. Një votim përfundon brenda një dite, pasojat e tij mund të mbeten për breza, dhe pikërisht kjo ka ndodhur. Ka një ironi të rëndë në faktin se sot, në cilësinë e ministrit të Punëve të Brendshme, qytetarët e asaj zone kërkojnë ndihmën e shtetit për vështirësitë me të cilat përballen. Unë, si përfaqësues i po atij shteti, duhet të përpiqem të zgjidh pasojat e një vendimi që, si deputet, jam përpjekur ta ndaloj”, tha ai.

“Ndërkohë gjykohem për përpjekjen për ta parandaluar atë vendim. Jam këtu dhe kërkoj që çdo veprim i imi të shqyrtohet. Por historia nuk mund të përmbyset deri në atë pikë sa kundërshtimi i humbjes së territorit të mbetet në bankën e të akuzuarve, ndërsa vetë humbja e territorit të trajtohet sikur të ishte një akt pa autor, vendimmarrës dhe pa përgjegjësi. Nuk ka pasur qëllim për të rrezikuar jetën e askujt, qëllimi ishte tjetër dhe nuk është fshehur kurrë. Kam pasur qëllim të pengoj një vendimmarrje që vazhdoj ta konsideroj të dëmshme për Republikën”, tha Sveçla.

Ai tha se veprimet e tij kanë pasur për qëllim ndërprerjen e seancës dhe pengimin e një vendimmarrjeje politike, për të cilën ai ende beson se ka qenë e dëmshme për Kosovën.

“Kam vepruar për të ndërprerë një seancë dhe për të penguar një vendim në kuadër të një vendimi politik, të një marrëveshjeje që cenoi territorin e Kosovës dhe atë pa qëllim për të rrezikuar jetën e dikujt. Për këtë qëndrim politik nuk kam ndryshuar vendim, demarkacioni ishte gabim atëherë dhe mbetet edhe sot. Ekziston një pyetje që do të mbetet përtej këtij procesi gjyqësor, si mund të ndodhë që për humbjen e territorit të mos japë llogari askush, ndërsa për përpjekjen për ta parandaluar atë kërkohet përgjegjësi penale”, tha ai.

Në fund, Sveçla kërkoi nga Gjykata të shpallet i pafajshëm, duke thënë se nuk po gjykohet për qëllimin e veprimeve të tij.

“Për akuzën që më vihet në barrë ndihem i pafajshëm, realisht unë nuk po gjykohem për atë që kam tentuar të bëj, pengimin e personave zyrtarë që të falin tokë, e keqja është se aty isha i pasuksesshëm. Kërkoj nga ju që të merrni vendimin që nuk deformon historinë”, tha ai. /EO

The post Sveçla në Gjykatë: Ndihem i pafajshëm, nuk duhet të dënohem appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.