AARC me takim me kongresmenin Gregory Meeks: Fokusi tek Kosova, Lugina e Preshevës dhe Ballkani Perëndimor

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka zhvilluar një takimi të rëndësishëm me kongresmenin e Nju Jorkut, Gregory Meeks, anëtar i lartë i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe mik i hershëm i komunitetit shqiptaro-amerikan. Nëse demokratët rikthejnë kontrollin mbi Dhomën e Përfaqësuesve, kongresmeni Meeks pritet të marrë drejtimin e Komisionit për Punë të Jashtme.
Kongresmeni Meeks u prezantua nga miku i tij i hershëm, anëtari i Bordit të AARC-së, Vehbi Bajrami, i cili nëfitoi mbi marrëdhënien e tyre të gjatë dhe angazhimin historik të z. Meeks në mbështetje të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe Kosovës.
Diskutimi u fokusua gjerësisht në Kosovë, Shqipëri, Luginën e Preshevës, politikën e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor, si dhe në fuqizimin e bashkëpunimit mes komunitetit shqiptaro-amerikan dhe Kongresit.
Mbështetje për integrimin e Shqipërisë dhe Kosovës
Kongresmeni Meeks rikonfirmoi mbështetjen e tij për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për thellimin e marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara.
Sa i përket Kosovës, z. Meeks nëvizoi rëndësinë e ruajtjes së partneritetit të fortë me SHBA-në dhe mbështeti integrimin e saj të mëtejshëm në strukturat euroatlantike. Po ashtu, ai shprehu qëndrimin se Serbia duhet të ndryshojë qasjen e saj ndaj shqiptarëve atje, duke mbështetur parimin që të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet të jenë në përputhje me të drejtat që i garantohen serbëve në Kosovë.
Aktivizimi i Grupit Shqiptar në Kongres dhe vizita e mundshme në rajon
Pjesë e rëndësishme e bashkëbisedimit ishte fuqizimi i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongres (Congressional Albanian Caucus) dhe ngritja e çështjeve të Ballkanit Perëndimor në nivelin e Komisionit për Punë të Jashtme. AARC diskutoi gjithashtu mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit mes Grupit Shqiptar dhe Grupit të Kongresmenëve Afto-Amerikanë (Congressional Black Caucus) mbi tema me interes të përbashkët.
Gjatë takimit u shqyrtua edhe organizimi i një delegacioni dypartiak të Kongresit për një vizitë në Ballkanin Perëndimor. Kongresmeni Meeks shprehu interesim për njohjen nga afër të situatës në rajon, përmes një vizite që mund të përfshijë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Luginën e Preshevës.
Qëndrimi për Dhomat e Specializuara dhe krerët e UÇK-së
Kongresmeni Meeks kujtoi edhe angazhimin e tij personal për Kosovën që nga periudha e administratës së Presidentit Bill Clinton dhe përpjekjet e SHBA-së për ndalimin e spastrimit etnik ndaj popullit të Kosovës.
Në takim u diskutua edhe për ecurinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Kongresmeni Meeks shprehu mendimin se zhvillimi i procedurave duhej të ishte rishikuar dhe se duhej t’i jepet konsideratë më e madhe një rezultati që mund të çonte në lirimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Pjesëmarrësit në takim
Në këtë takim morën pjesë kryetari i Bordit të AARC-së, Eli Rusi, nënkryetari Tony Marke, sekretari Burim Rexhaj, arkëtari Roland Nezaj, si dhe anëtarët e bordit Vehbi Bajrami e Agim Jusufi, së bashku me udhëheqës të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan.
AARC shprehu mirënjohjen për miqësinë e kongresmenit Meeks, angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar për çështjet me interes vital për shqiptarët në të gjithë Ballkanin Perëndimor. (INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



