Nga vota në moshën 16-vjeçare te kontracepsioni falas, çfarë votohet në nëntë kantone zvicerane

Ndër çështjet që pritet të tërheqin më shumë vëmendje janë propozimi për uljen e ndjeshme të tatimeve në kantonin Vaud dhe mundësia që të rinjtë nga mosha 16 vjeç të fitojnë të drejtën e votës në Graubünden, transmeton albinfo.ch.
Graubünden: Në votim e drejta e votës nga mosha 16 vjeç
Në Graubünden, qytetarët do të vendosin nëse mosha minimale për të votuar duhet të ulet nga 18 në 16 vjeç.
Ndryshimi i Kushtetutës kantonale do t’u mundësonte të rinjve nga mosha 16 vjeç të votojnë dhe të nënshkruajnë iniciativa e referendume. Megjithatë, ata nuk do të fitonin të drejtën për t’u zgjedhur në poste politike.
Në rast miratimi, ndryshimi do të përfshinte më shumë se 2,800 të rinj, që përbëjnë rreth 2% të elektoratit të kantonit. Ata do të mund të merrnin pjesë në vendimmarrjen politike që nga viti i ardhshëm.
Gjenevë: Kontracepsioni falas dhe transporti ndërkufitar
Në Gjenevë do të votohet për katër çështje. Njëra prej tyre është iniciativa e Partisë Socialiste për kontracepsion falas.
Mbështetësit e propozimit argumentojnë se masa do të siguronte qasje më të barabartë në shëndetin seksual dhe kontraceptiv. Kundërshtarët, përfshirë qeverinë kantonale, argumentojnë se masa nuk është e orientuar sa duhet drejt personave me të ardhura të ulëta dhe se kostoja mund të kalojë 20 milionë franga në vit.
Një tjetër votim në Gjenevë lidhet me një kredi prej 39.5 milionë frangash për bashkëfinancimin e infrastrukturës së transportit në Francën fqinje. Projekti përfshin 1,600 vende shtesë parkimi P+R, korsi për autobusë dhe zgjerimin e rrjetit të tramvajit, me synimin për të reduktuar numrin e automjeteve që hyjnë çdo ditë në kanton.
Vaud: Propozim për uljen e tatimeve
Një tjetër votim i rëndësishëm zhvillohet në Vaud, ku iniciativa e ashtuquajtur “12%” kërkon reduktimin e tatimeve kantonale mbi të ardhurat dhe pasurinë.
Promovuesit argumentojnë se barra tatimore në Vaud është tepër e lartë në krahasim me kantonet e tjera dhe se financat kantonale mund ta përballojnë uljen.
Qeveria dhe parlamenti kantonal rekomandojnë refuzimin e iniciativës, duke argumentuar se një reduktim i tillë mund të kërkojë kursime të konsiderueshme në shërbimet publike. Qeveria tashmë ka planifikuar një ulje graduale të tatimit mbi të ardhurat, deri në 7% në vitin 2027.
Cyrih: Votim për vetëvrasjen e asistuar
Në kantonin e Cyrihut, një nga çështjet lidhet me detyrimin e shtëpive për të moshuarit, institucioneve të kujdesit, spitaleve dhe klinikave të rehabilitimit për të lejuar vetëvrasjen e asistuar. Institucionet psikiatrike dhe burgjet do të përjashtoheshin.
Një votim tjetër në Cyrih ka të bëjë me përmirësimin e kushteve të punës për mësimdhënësit, duke parashikuar më shumë orë të paguara për detyrat shtesë të mësuesve përgjegjës të klasave.
Berna, Lucerna dhe kantonet e Bazelit
Në Bernë do të votohet për përfshirjen në Kushtetutën kantonale të së drejtës për arsim cilësor. Mbështetësit e iniciativës kërkojnë garanci afatgjata për cilësinë e arsimit, ndërsa autoritetet kantonale argumentojnë se kërkesat kryesore tashmë mbulohen nga legjislacioni.
Në Lucernë, qytetarët do të vendosin për masa kundër dhunës së lidhur me ndeshjet e FC Luzern, si dhe për zgjerimin e orareve të funksionimit të dyqaneve pa personel.
Në Basel-Stadt do të votohet ndër të tjera për iniciativën e ashtuquajtur “anti-kaos”, e cila kërkon që pjesëmarrësit në demonstrata të paautorizuara, në rrethana të caktuara, të mbajnë përgjegjësi për kostot policore dhe dëmet e shkaktuara.
Ndërkohë, në Basel-Landschaft votimi lidhet me rregullat për kompensimin e rritjes së vlerës së pronave që rezulton nga planifikimi territorial.
Schaffhausen: Kufiri i shpejtësisë në qendrat e banuara
Në Schaffhausen, qytetarët do të votojnë për iniciativën “për trafik të rrjedhshëm”, e cila kërkon një kufi të përgjithshëm prej 50 km/h në rrugët kantonale brenda zonave të banuara dhe kufizime për ndërhyrjet strukturore në këto rrugë.
Kështu, krahas dy çështjeve federale që do të vendosen më 27 shtator, votuesit në nëntë kantone do të kenë përpara edhe një seri vendimesh kantonale që prekin drejtpërdrejt taksat, arsimin, transportin, shëndetin dhe të drejtat politike.
The post Nga vota në moshën 16-vjeçare te kontracepsioni falas, çfarë votohet në nëntë kantone zvicerane appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



