“Urime, çlirimtarë”, Vlora Çitaku uron Thaçin, Veselin e Krasniqin në 27 vjetorin e PDK-së

“Urime, çlirimtarë”, Vlora Çitaku uron Thaçin, Veselin e Krasniqin në 27 vjetorin e PDK-së

Në 27-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka ndarë një mesazh urimi, duke rikujtuar rrugëtimin e saj me figurat e kësaj partie.

Ajo në një postim në Facebook, ka përmendur Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, me të cilët tha se është njohur gjatë luftës dhe ka bashkëpunuar që nga themelimi i PDK-së.

“Prandaj, në këtë 27-vjetor të PDK-së, urimi im u drejtohet Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, burrave të cilët i njoha në male, e me të cilët kam pasur nderin të punoj, të mësoj e të rrugëtoj që nga dita e parë e partisë sonë”, ka shkruar ajo.

Postimi i saj:

Urime, çlirimtarë!

Disa lidhje farkëtohen në gjak e në vështirësi, aty ku jeta dhe vdekja ndajnë të njëjtin shteg dhe besimi te njëri-tjetri është gjithçka që ke. PDK-ja lindi para se të merrte emër: në mal, jo në zyrë; në vetëmohim, jo në privilegje. Në sakrificën për liri.

Prandaj, në këtë 27-vjetor të PDK-së, urimi im u drejtohet Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, burrave të cilët i njoha në male, e me të cilët kam pasur nderin të punoj, të mësoj e të rrugëtoj që nga dita e parë e partisë sonë.

Nga sakrifica te pavarësia dhe shtetndërtimi, ju mbartët mbi supe peshën e vendimeve që ndryshuan fatin e Kosovës.

Kjo trashëgimi është krenaria jonë dhe përgjegjësia që na udhëheq përpara.

Në këtë datë, që rastësisht shënon edhe një vit të jetës sime, mirënjohja shkon te njerëzit që i dhanë kuptim përkatësisë sime politike e kombëtare.

Sot kujtojmë e nderojmë. Festa do të jetë e plotë kur t’ju kemi të lirë mes nesh, për të vazhduar së bashku rrugën që nisëm.

PDK-ja mban gjurmën tuaj. Kosova mban veprën tuaj. Ne mbajmë përgjegjësinë për ta çuar përpara.
Urime, çlirimtarë!

Urime, PDK!

Urime të gjithë aktivistëve e mbështetësve!


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.