Veterani thotë se u rrah nga Policia gjatë protestës: Mora tetë qepje në kokë

Veterani thotë se u rrah nga Policia gjatë protestës: Mora tetë qepje në kokë

Veterani dhe invalidi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Mejzinolli, ka thënë se është rrahur nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë protestës së mbrëmshme dhe si pasojë ka përfunduar në Emergjencë, ku ka marrë tetë qepje në kokë.

Mejzinolli thotë se kishte dalë në protestë në mënyrë të qetë dhe se, sipas tij, nuk kishte përdorur fjalë fyese apo të këqija ndaj pjesëtarëve të Policisë apo personave të tjerë.

Sipas rrëfimit të tij, në një moment filloi përdorimi i gazit lotsjellës dhe më pas, edhe dhuna fizike ndaj protestuesve. Ai thotë se në mesin e personave të dhunuar dhe të lënduar kishte veteranë të UÇK-së, invalidë të luftës dhe familjarë të dëshmorëve.

Në mesin e tyre, sipas Mejzinollit, ishte edhe ai vetë.

“Pa prit dhe pa ditë, veç kurë e kam pa vetën në Emergjencë”, ka shkruar ai, duke treguar se kishte përfunduar në spital pas dhunës së ushtruar ndaj tij.

Mejzinolli është invalid i luftës dhe aktualisht anëtar i Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në nivel qendror.

Ai ka kujtuar edhe përvojat e tij gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë, kur thotë se kishte pësuar dhunë nga milicia e atëhershme. Megjithatë, ai thekson se dhuna që, sipas tij, ka përjetuar nga Policia e Kosovës e ka prekur veçanërisht.

“Jam i mësuar me këtë lloj dhune. Ishte koha e ish-Jugosllavisë kur kisha pësu disa herë, njëjtë nga Milicia e atëhershme, por kjo nga Policia jonë më ka dhimtë ma shumë, se për këta luftuam që ta kemi Policinë dhe Ushtrinë tonë”, ka deklaruar Mejzinolli.

Ai shprehet se nuk e kishte menduar se pas luftës do të përballej me një situatë ku, sipas tij, Policia e Kosovës do të përdorte dhunë ndaj veteranëve.

“Që do të na kthehen Policia kundër neve, kurrë s’na ka shku ndërmend”, ka thënë Mejzinolli.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.