Pas 120 vjetësh, Muzeu Historik i Bernës ia kthen Namibisë qindra objekte kulturore

Koleksioni përfshin rreth 286 sende të përdorimit të përditshëm, stoli dhe armë që u përkisnin punëtorëve namibianë të hekurudhës. Ato u morën në vitin 1906 nga inxhinieri zviceran Victor Solioz dhe bashkëshortja e tij Marie, gjatë periudhës së sundimit kolonial gjerman në atë që atëherë quhej Afrika Jugperëndimore Gjermane. Rrethanat e sakta të marrjes së objekteve nuk janë sqaruar plotësisht, përcjell albinfo.ch.
Çifti e solli koleksionin në Bernë, ndërsa Muzeu Historik i Bernës e bleu atë në vitin 1928. Pas një procesi disavjeçar bashkëpunimi me institucionet dhe komunitetin në Namibi, muzeu ia transferoi në qershor të këtij viti pronësinë e të gjithë koleksionit Muzeut të Qytetit të Usakosit.
Aktualisht, 28 prej objekteve ndodhen tashmë në Namibi. Pjesa më e madhe e koleksionit do të ekspozohet përkohësisht në Bernë në ekspozitën “Destination: Usakos”, e cila hapet më 18 shtator dhe do të qëndrojë e hapur deri më 4 korrik 2027. Pas përfundimit të saj, objektet e mbetura pritet të kthehen në Namibi deri në fund të vitit 2027.
Drejtori i muzeut, Thomas Pauli-Gabi, ka theksuar se trashëgimia kulturore duhet të jetë aty ku ka rëndësi për njerëzit si burim njohurie dhe identiteti. Për Muzeun e Qytetit të Usakosit, ky do të jetë koleksioni i parë në pronësi të tij.
The post Pas 120 vjetësh, Muzeu Historik i Bernës ia kthen Namibisë qindra objekte kulturore appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



