Yakin e konfirmon: Granit Xhaka mbetet kapiten i Zvicrës

Përfaqësuesja e Zvicrës ka zhvilluar katër ndeshje në Ligën e Kombeve pa Granit Xhakën dhe ka regjistruar po aq fitore. Në mungesë të kapitenit të përhershëm, shiritin e kapitenit e ka mbajtur Manuel Akanji, transmeton albinfo.ch.
Mbrojtësi i Interit e ka udhëhequr ekipin zviceran në fushë, por nuk duket se synon ta mbajë këtë rol edhe pas rikthimit të Xhakës.
“Gjatë mungesës së Xhakës, sigurisht që jam përpjekur ta marr përsipër rolin e tij si kapiten sa më mirë që mundem. Jam natyrisht një tip pak më ndryshe nga ai”, ka thënë Akanji pas fitores 3:0 ndaj Maqedonisë së Veriut.
31-vjeçari ka theksuar se Xhaka vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të skuadrës.
“Ne të gjithë e duam atë në ekip dhe unë thjesht përpiqem të bëj më të mirën. Por jam i lumtur që ai do të rikthehet në nëntor dhe do ta marrë sërish shiritin e kapitenit”, ka deklaruar Akanji.
Yakin: Xhaka është ende kapiteni ynë
Edhe trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, e ka vlerësuar paraqitjen e Akanjit si kapiten.
“Manu e ka bërë shumë mirë”, ka thënë Yakin pas ndeshjes në Luzern.
I pyetur nëse Akanji mund ta vazhdojë rolin e kapitenit edhe pas rikthimit të Xhakës, Yakin fillimisht tha se kjo çështje do të diskutohet brenda skuadrës.
Megjithatë, më pas ai ishte i qartë për statusin e Xhakës.
“Kjo do të rregullohet mes lojtarëve. Por Granit është ende kapiteni ynë”, deklaroi Yakin.
Ndërkohë, sa i përket mundësisë së masave të brendshme ndaj Xhakës lidhur me rastin e falsifikimit të një certifikate COVID-19, Yakin iu referua bisedimeve që pritet të zhvillohen dhe deklarimeve të presidentit të Federatës Zvicerane të Futbollit, Peter Knäbel.
Sipas trajnerit, dera për Xhakën mbetet e hapur, ndërsa Zvicrës i duhen lojtarët më të mirë për ndeshjet e ardhshme./Albinfo.ch
The post Yakin e konfirmon: Granit Xhaka mbetet kapiten i Zvicrës appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



