Solidaritet shembullor në Ropalcë: Xhemati mbledh mbi 5 mijë euro për restaurimin e xhamisë “Koxha Mehmed Beu”

KUMANOVË – Xhemati i fshatit Ropalcë i është bashkuar me përkushtim të lartë aksionit humanitar dhe fetar të iniciuar nga Myftinia e BFI-së – Kumanovë, duke dhënë një kontribut financiar prej 5.306 eurosh për restaurimin dhe përmirësimin e xhamisë historike “Koxha Mehmed Beu”.
Ky kontribut i bujshëm është mbledhur gjatë faljes së namazit të xhumasë, ku besimtarët e këtij fshati treguan edhe kësaj radhe shpirtin e solidaritetit dhe gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë shtëpisë së Allahut.
Në emër të kryesisë së xhamisë dhe personalisht, është shprehur mirënjohja dhe falënderimi më i sinqertë për të gjithë xhematin për përkushtimin dhe kontributin e treguar.
“Lusim Allahun xh.sh. ta ndihmojë Myftininë e Kumanovës në realizimin me sukses të këtij projekti, t’ia lehtësojë përfundimin e punimeve dhe ta bëjë këtë iniciativë të dobishme për të gjithë besimtarët”, thuhet në mesazhin e drejtuar nga kryesia e xhamisë së fshatit Ropalcë. (INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



