‘‘Zemër, duhet të koncentrohemi’’, zbardhen bisedat mes Vlora Hysenit me Ergys Agasin

‘‘Zemër, duhet të koncentrohemi’’, zbardhen bisedat mes Vlora Hysenit me Ergys Agasin

SPAK ka zbardhur komunikime mes ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hysenit, dhe Ergys Agasit, duke ngritur dyshime për një marrëdhënie personale mes tyre, si dhe për komunikime të vazhdueshme lidhur me çështjen penale ku është përfshirë Agasi.

Në komunikimet e siguruara nga hetuesit, sipas informacioneve të bëra publike, shfaqen edhe shprehje të tilla si: “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot”, “Të gjithë ne” dhe “Do përfundojmë keq, shpirt”.

Sipas SPAK, përtej dyshimeve për lidhjen personale, Hyseni dyshohet se është përfshirë edhe në çështjen penale të Agasit, duke shfaqur gatishmëri për ta ndihmuar dhe duke vënë në dispozicion cilësitë e saj zyrtare dhe kapacitetet institucionale që drejtonte.

Një tjetër element i hetimit lidhet me automjetin e sekuestruar të Ergys Agasit në Equos Resort. Sipas informacioneve, në automjet janë gjetur materiale që dyshohet se i përkisnin Shërbimit Informativ të Shtetit.

Mësohet se javën e kaluar, SPAK ka marrë në pyetje Vlora Hysenin.

Gjatë dëshmisë së saj, ajo ka pranuar se ka pasur komunikime me Ergys Agasin dhe se prej tij ka marrë informacione të lidhura me Shërbimin Informativ të Shtetit.

Megjithatë, Hyseni ka mohuar të ketë takuar fizikisht Agasin apo të ketë bashkëpunuar me të.

Ndërkohë, sipas të dhënave të hetimit, Ergys Agasi rezulton se në pjesën më të madhe të kohës ka qëndruar në vilat qeveritare, ku për ushqimin e tij dyshohet se është ndihmuar nga Embo Sulejmani. Ky i fundit rezulton të ketë qenë një kontakt i drejtpërdrejtë i Agasit, bazuar edhe në komunikimet e gjetura në telefonat celularë. (insajderi.org)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.