ETH Zürich paralajmëron: Zvicra mund të përballet me rritje të temperaturave deri në 4.9 gradë

ETH Zürich paralajmëron: Zvicra mund të përballet me rritje të temperaturave deri në 4.9 gradë

Skenari i një ngrohjeje globale prej tre gradësh Celsius po merr më shumë gjasa, sipas një studimi të ri nga studiues të ETH Zürich dhe Universitetit të Leipzigut. Nëse ky parashikim materializohet, temperaturat në Zvicër mund të rriten deri në 4.9 gradë Celsius krahasuar me periudhën para industrializimit, përcjell albinfo.ch.

Hulumtimi ngre shqetësime të reja për pasojat e ndryshimeve klimatike dhe sfidat që ato mund të paraqesin për Zvicrën në dekadat e ardhshme.

Sipas studiuesve, ngrohja globale mund të arrijë në 3.25 gradë deri në fund të këtij shekulli. Në skenarët ku nuk ndërmerren masa të menjëhershme dhe të ndjeshme për uljen e emetimeve, ngrohja mund të jetë rreth 25 për qind më e lartë sesa vlerësimet e mëparshme.

“Rezultatet tona tregojnë për një ngrohje 25 për qind më të lartë se sa është supozuar deri më tani”, ka deklaruar Gergana Gyuleva, doktorante në ETH Zürich dhe autorja kryesore e studimit.

Matjet e reja ndryshojnë parashikimet

Për dallim nga shumë vlerësime klimatike që mbështeten në të dhënat historike të temperaturave dhe rritjes së dioksidit të karbonit në atmosferë, studimi i ri ka përfshirë edhe matjet satelitore. Këto tregojnë sasinë e energjisë diellore që Toka thith dhe nxehtësinë që lëshon sërish drejt hapësirës.

Sipas studiuesve, diferenca mes energjisë së absorbuar dhe nxehtësisë së çliruar është më shumë se dyfishuar që nga viti 2000. Kjo konsiderohet tregues se Toka po grumbullon nxehtësi më shpejt sesa është vlerësuar më parë.

Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se të dhënat për këtë periudhë mbulojnë vetëm rreth 25 vjet, çka duhet të merret parasysh gjatë interpretimit të rezultateve.

Vera e nxehtë në Zvicër, një paralajmërim për të ardhmen

Pasojat e temperaturave të larta janë ndier edhe këtë verë në Zvicër. Bazeli ka regjistruar 58 ditë me temperatura mbi 30 gradë Celsius, Berna 46, ndërsa Zürichu 38 ditë të tilla.

Skenarët klimatikë të publikuar nga MeteoSwiss dhe ETH Zürich në nëntor parashikojnë se, në një botë me ngrohje globale prej tre gradësh, rajoni i Zürichut mund të përjetojë rreth 30 ditë të nxehta gjatë një vere tipike. Këtë vit, numri i ditëve me temperatura mbi 30 gradë në qytet ka qenë më i lartë.

Zvicra po ngrohet më shpejt se mesatarja globale, ndaj rritja e temperaturave në shkallë botërore mund të ketë pasoja edhe më të theksuara në vend.

  • Megjithatë, studiuesit theksojnë se skenari më ekstrem nuk është i pashmangshëm. Ulja e ndjeshme e emetimeve mund të kufizojë ngrohjen e ardhshme dhe të zvogëlojë rrezikun e pasojave më të rënda klimatike./Albinfo.ch

The post ETH Zürich paralajmëron: Zvicra mund të përballet me rritje të temperaturave deri në 4.9 gradë appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.