Zvicra rrit interesin e kursimeve pensionale në 2% nga viti 2027

Këshilli Federal i Zvicrës ka vendosur të rrisë normën minimale të interesit për kursimet pensionale profesionale, nga 1.25% në 2%, duke filluar nga janari i vitit 2027, përcjell albinfo.ch.
Sipas komunikatës zyrtare të Departamentit Federal të Punëve të Brendshme, vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit Federal më 4 nëntor 2026 dhe zbatohet për pjesën e detyrueshme të sigurimit pensional profesional, të njohur si shtylla e dytë ose BVG.
Norma minimale e interesit përcakton përqindjen më të ulët me të cilën duhet të rriten çdo vit kursimet pensionale të personave të siguruar në pjesën e detyrueshme. Me vendimin e ri, kjo normë rritet për 0.75 pikë përqindjeje.
Vendimi është marrë duke marrë parasysh zhvillimet pozitive në tregjet financiare dhe gjendjen e qëndrueshme të fondeve pensionale zvicerane. Sipas vlerësimeve të Zyrës Federale të Sigurimeve Shoqërore, fondet pensionale kanë realizuar një kthim mesatar prej 6.1% gjatë vitit 2025 dhe 5.4% deri në fund të gushtit 2026.
Gjithashtu, niveli mesatar i mbulimit financiar të fondeve pensionale pa garanci shtetërore kishte arritur në 122.5% në fund të gushtit 2026, duke treguar një gjendje të mirë financiare dhe rezerva të mjaftueshme për përmbushjen e detyrimeve ndaj të siguruarve.
Më herët, Komisioni Federal për Pensionet Profesionale kishte rekomanduar rritjen e normës minimale në 1.75%, ndërsa partnerët socialë kishin paraqitur propozime të ndryshme, nga 1.25% deri në 3%. Megjithatë, Këshilli Federal vendosi për normën prej 2%.
Sipas autoriteteve zvicerane, gjendja e mirë financiare e fondeve pensionale mundëson këtë rritje, e cila synon gjithashtu të kompensojë pjesërisht ndikimin e inflacionit të viteve të fundit.
Ndryshimi do të ndikojë në interesin minimal të kursimeve të detyrueshme pensionale të personave të siguruar, por nuk nënkupton rritje automatike të pensioneve mujore për të gjithë pensionistët.
The post Zvicra rrit interesin e kursimeve pensionale në 2% nga viti 2027 appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



