Zvicra kërkon standarde më të rrepta për çerdhet dhe grupet parashkollore

Shoqata Zvicerane e Drejtuesve të Grupeve Parashkollore (SSLV) ka kërkuar vendosjen e standardeve minimale të detyrueshme në të gjithë Zvicrën, me qëllim përmirësimin e sigurisë dhe cilësisë së kujdesit dhe edukimit të fëmijëve në moshë të hershme.
Sipas shoqatës, në shumë kantone zvicerane ende mungojnë rregullat e qarta ligjore për funksionimin e grupeve parashkollore dhe institucioneve të kujdesit për fëmijët. Këto mangësi lidhen kryesisht me kërkesat për sigurinë, numrin e fëmijëve që mund të mbikëqyren nga një punonjës dhe kualifikimet pedagogjike të personelit.
Në një reagim të publikuar të hënën, më 2 nëntor, shoqata ka kritikuar faktin se në disa raste grupet parashkollore mund të hapen pa qenë e nevojshme të dëshmohet përmbushja e standardeve të caktuara profesionale dhe të sigurisë, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.
Përfaqësuesit e SSLV-së theksojnë se edukimi cilësor në fëmijërinë e hershme ka ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijëve dhe në suksesin e tyre të mëvonshëm në shkollë. Kjo konsiderohet veçanërisht e rëndësishme për fëmijët që rriten në familje shumëgjuhëshe, të cilët mund të kenë nevojë për mbështetje shtesë në mësimin e gjuhës gjermane.
Sipas shoqatës, gjithnjë e më shumë fëmijë po fillojnë kopshtin pa njohuri të mjaftueshme të gjermanishtes, pa i përvetësuar plotësisht shprehitë bazë të higjienës personale ose me vështirësi në përshtatjen sociale. Kjo situatë, sipas saj, po e shton presionin mbi sistemin e rregullt arsimor.
Për këtë arsye, SSLV vlerëson se udhëzimet vullnetare nuk janë më të mjaftueshme dhe kërkon që autoritetet politike të vendosin kërkesa minimale ligjore, të cilat do të zbatoheshin në mënyrë të njëjtë në të gjithë vendin, pavarësisht kantonit apo komunës ku jetojnë familjet.
Krahas kësaj kërkese, shoqata ka ndërmarrë edhe një fushatë informuese për prindërit, duke ofruar kritere dhe udhëzime që mund t’i ndihmojnë ata të zgjedhin institucione të përshtatshme për fëmijët e tyre.
Qëllimi i kësaj nisme është që fëmijëve t’u sigurohet një mjedis më i sigurt dhe më cilësor për zhvillimin e aftësive sociale, gjuhësore dhe emocionale, ndërsa prindërit të kenë më shumë informacion për standardet që duhet të përmbushin institucionet parashkollore.
The post Zvicra kërkon standarde më të rrepta për çerdhet dhe grupet parashkollore appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



