Sigurimet e veturave në Zvicër pritet të shtrenjtohen sërish në vitin 2027
Drejtuesit e automjeteve në Zvicër pritet të përballen me shpenzime më të larta për sigurimet e veturave gjatë vitit 2027, sipas një analize të re të platformës zvicerane të krahasimit të çmimeve Comparis, përcjell albinfo.ch.
Sipas të dhënave të publikuara më 5 nëntor, primet e sigurimeve të automjeteve janë rritur me rreth 19 për qind nga gushti i vitit 2021 deri në gusht të vitit 2026. Vetëm gjatë vitit të fundit, rritja ka qenë mbi 7 për qind.
Një anketë e realizuar nga Comparis me 11 kompani sigurimesh në Zvicër tregon se disa prej tyre kanë planifikuar tashmë rritje të primeve për vitin 2027, përfshirë edhe klientët ekzistues.
Megjithatë, ende nuk dihet se sa do të jetë rritja mesatare, pasi ndryshimet varen nga kompania e sigurimit, lloji dhe vlera e automjetit, mosha e tij dhe historiku i dëmeve.
Arsyet kryesore të shtrenjtimit lidhen me rritjen e kostove të riparimeve, çmimet më të larta të pjesëve rezervë dhe dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, veçanërisht breshëri.
Automjetet moderne, të pajisura me kamera, sensorë dhe sisteme elektronike të asistencës, kanë gjithashtu kosto më të larta riparimi. Sipas Comparis, ndërmjet viteve 2023 dhe 2025, kostoja mesatare e punës për riparimin e dyerve të pasme është rritur me gati 46 për qind.
Kompanitë e sigurimeve kanë qëndrime të ndryshme për vitin e ardhshëm. Mobiliar ka njoftuar se nuk planifikon rritje të përgjithshme për kontratat ekzistuese që mbeten të pandryshuara, ndërsa kompani të tjera, përfshirë Helvetia, Smile, Generali dhe Vaudoise, kanë theksuar presionin e vazhdueshëm nga kostot e riparimeve dhe dëmeve.
Pavarësisht rritjes së çmimeve, shumica e drejtuesve të automjeteve nuk e ndryshojnë kompaninë e sigurimit. Sipas një ankete të Comparis, 45 për qind e të anketuarve kanë paguar prime më të larta në vitin 2026 krahasuar me vitin paraprak, ndërsa vetëm 6 për qind kanë ndërruar siguruesin.
Nga ata që kanë ndryshuar kompaninë, rreth gjysma kanë kursyer të paktën 200 franga në vit.
Comparis u rekomandon drejtuesve të automjeteve të krahasojnë ofertat e kompanive të ndryshme, të kontrollojnë mbulimin e sigurimit dhe të shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të kontratës në rast të rritjes së primeve.
Në rastet kur kompania e sigurimit vendos një rritje të përgjithshme të primit, klientët zakonisht kanë të drejtë ta ndërpresin kontratën para afatit, duke respektuar kushtet dhe afatet e përcaktuara. /Albinfo.ch
The post Sigurimet e veturave në Zvicër pritet të shtrenjtohen sërish në vitin 2027 appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.