5 mijë euro gjobë ndaj të akuzuarit për konflikt të interesit, 2 mijë ndaj të akuzuarës për ndihmë në kryerje të kësaj vepre

Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Armend Mirenës për konflikt interesi dhe Ardianë Gërvallës për ndihmë në kryerjen e asaj vepre, duke i dënuar me dënim unik prej 7 mijë euro gjobë (së bashku). Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjykatësi Ertan Sejfulla. Sipas aktgjykimit

5 mijë euro gjobë ndaj të akuzuarit për konflikt të interesit, 2 mijë ndaj të akuzuarës për ndihmë në kryerje të kësaj vepre

Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Armend Mirenës për konflikt interesi dhe Ardianë Gërvallës për ndihmë në kryerjen e asaj vepre, duke i dënuar me dënim unik prej 7 mijë euro gjobë (së bashku).

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjykatësi Ertan Sejfulla.

Sipas aktgjykimit, Mirena u dënua me 1 mijë e 750 euro dhe 6 muaj burgim. Dënimi me burg iu zëvendësua me 3 mijë e 250 euro gjobë. Ndaj Mirenës, Gjykata shpalli dënim unik prej 5 mijë euro gjobë.

Në këtë dënim, të akuzuarit Mirena do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

Ndërsa, e akuzuara Gërvalla u dënua me gjobë 750 euro dhe 4 muaj burgim. Dënim me burg iu zëvendësua me 1 mijë e 250 euro gjobë. Ndaj saj Gjykata shpalli dënim unik prej 2 mijë euro gjobë.

Të akuzuarit obligohen që të paguajnë edhe shpenzimet e procedurës nga 100 euro (secili veç e veç) në emër të paushallit gjyqësor dhe nga 50 euro për fondin e kompensimit të viktimave.

Paraprakisht, nga Gjykata u bë e ditur se të akuzuarit Armend Mirena dhe Ardianë Gërvalla dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.

Fillimisht, prokurori Eset Rama tha se marrëveshja është arritur me pëlqimin e të akuzuarve në prani të mbrojtësve të tyre, si dhe është aprovuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore.

Mbrojtësja e të akuzuarit Mirena, avokatja Ilire Aydogan tha se nuk e kundërshton deklaratën e prokurorit dhe po ashtu ritheksoi se marrëveshja është bërë konform Kodit të Procedurës Penale, si dhe i propozoi Gjykatës që të aprovohet marrëveshja e arritur.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarës Gërvalla, avokatja Rizona Hashani tha se qëndrojnë pranë marrëveshjes së arritur. Edhe ajo i propozoi Gjykatës që ta aprovojë marrëveshjen e arritur.

Më pas, gjykatësi i rastit, Ertan Sejfulla, tha se meqenëse marrëveshja e arritur është konform dispozitave ligjore, të njëjtën e aprovoi.

Sipas aktakuzës se ngritur më 14 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Armend Mirena akuzohej se gjatë muajit mars të vitit 2023 në Obiliq, në pozitën e zyrtarit në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Obiliqit, si dhe kryetar i Komisionit për ndarje të Subvencioneve për këtë Drejtori, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka tejkaluar kompetecat e tij duke e ditur se ka konflikt interesi për shkak se ka qenë themelues i klubit basketbollistik “AS Kastrioti”, ka dorëzuar aplikacionin për subvencionim sipas thirrjes publike të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, të Komunës së Obiliqit, për këtë klub basketbollistik, ku edhe ka përpiluar e nënshkruar dokumentacionin e klubit në emër të Admir Hashani, e pastaj në cilësinë e kryetarit të Komisionit për ndarje të subvecioneve ka shpallur fitues të subvencionit klubin “AS Kastrioti”, duke përfituar shumën materiale prej 9 mijë e 900 euro.

Me çka, akuzohej se ka kryer veprën penale “Konflikt Interesi” nga neni 417, par.1 të Kodit të Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, Ardianë Gërvalla akuzohej se gjatë muajit shkurt të vitit 2024 në Obiliq, në cilësinë e monitorueses për OJQ-të Rinore dhe Sportive, me dashje e ka ndihmuar të pandehurin Armend Mirena, ku duke shfrytëzuar detyrën zyrtare nuk i ka përmbushur detyrat e saj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin dhe më 29 shkurt 2024 ka përpiluar Raportin përfundimtar për subvencionet e ndara nga Komuna, ku në pikën 10 të raportit shkruan se ajo nga afër ka parë aktivitetet e mbajtura nga klubi gjatë vitit 2023, ku klubi ka garuar me gjeneratat e reja dhe senior duke kaluar edhe liga më të mëdha.

Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Konflikt interesi” nga neni 417, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi