BDI me akuza, Iseni i përgjigjet:BDI-ja çdo ditë gënjen, ne çdo ditë i demantojmë!

BDI me akuza, Iseni i përgjigjet:BDI-ja çdo ditë gënjen, ne çdo ditë i demantojmë!

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar ndaj kritikave të BDI-së për punësimet në institucionet shtetërore, duke thënë se, sipas tij, faktet i demantojnë pretendimet e kësaj partie.

“Nuk e kuptoj si nuk turpërohet BDI-ja që çdo ditë del me shpifje të reja, ndërsa faktet i demantojnë njëra pas tjetrës”, ka shkruar Iseni në një reagim në rrjetet sociale.

“BDI-ja çdo ditë gënjen, ne çdo ditë i demantojmë!

Nuk e kuptoj si nuk turpërohet BDI-ja që çdo ditë del me shpifje të reja, ndërsa faktet i demantojnë njëra pas tjetrës.

Në konkursin e fundit kanë qenë 496 punësime, prej të cilëve mbi 70 shqiptarë. Këto janë fakte, jo propagandë.

Por le ta kujtojmë edhe një fakt tjetër: kur BDI-ja ishte në pushtet dhe kishte edhe zëvendësministër në MPB, ministri i atëhershëm, në paraqitjet publike, ua mbyllte gojën dhe nuk i lejonte të flisnin.

Sot, të njëjtët që atëherë heshtnin, na shesin moral e drejtësi.

Le të vazhdojnë me gënjeshtra. Ne do të vazhdojmë t’i përgjigjemi me fakte.

Sepse përveç atyre që vetë u besojnë gënjeshtrave të tyre, vështirë se ka mbetur dikush tjetër që u beson.”, është shprehur ai.

BDI Kumanovë me akuza për përfaqësimin e ulët

Komunikate nga dega e BDI-së Kumanovë
Nga 497 të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, po e marrim deklarimin e zëvendësministrit Astrit Iseni se vetëm 70 prej tyre janë shqiptarë. Kjo, në përqindje, i bie vetëm 14.08%.
A ka turp më të madh sesa të krenohesh me këtë përqindje dhe ta paraqesësh si përfaqësim të shqiptarëve?!
Tentimi për të na demantuar është i kotë, sepse shifrat janë dëshmia më e qartë e realitetit dhe e vazalitetit tuaj politik në Qeveri. Në vend që të fshiheni pas deklaratave dhe postimeve në Facebook, dilni dhe tregojuni shqiptarëve të vërtetën:
“Nuk kemi peshë politike, nuk kemi legjitimitet dhe nuk kemi forcë të mjaftueshme për t’i imponuar numrat, projektet dhe kërkesat që u takojnë shqiptarëve. Aq sa na japin, aq marrim, sepse nuk kemi forcë të kërkojmë më shumë.”
Kjo do të ishte më e ndershme sesa të përpiqeni të shisni dështimin si sukses dhe nënshtrimin si përfaqësim.
Mund të “demantoni” në Facebook, mund të luani me fjalë dhe përqindje, por nuk mund t’i mashtroni shqiptarët me realitetin që e shohin çdo ditë.
Për dy vite në Qeveri, ju jeni dëshmuar se nuk keni guxim as ta ngrini gishtin për të folur për problemet e shqiptarëve, e lëre më të kërkoni, të impononi dhe të mbroni interesat e tyre.
Përfaqësimi nuk matet me karrige në Qeveri, por me rezultate. Nuk matet me deklarata në Facebook, por me numra, projekte, punësime dhe vendime konkrete.
Prandaj, nëse vërtet pretendoni se përfaqësoni shqiptarët, përgjigjuni me rezultate: Ku është përfaqësimi i drejtë? Ku janë punësimet? Ku janë projektet? Ku është fuqia politike për të mbrojtur interesat e shqiptarëve?
Sepse shqiptarët nuk kanë nevojë për përfaqësues që vetëm arsyetojnë pse nuk mund të bëjnë asgjë. Kanë nevojë për njerëz që kërkojnë, luftojnë dhe marrin përgjegjësi për interesat e tyre.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.