Ibrahimi sërish flet për Bërvenicën, porosi BDI-së

Ish-kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka komentuar zhvillimet politike pas zgjedhjeve në Bërvenicë, duke vënë në pah mbështetjen e VLEN-it për kandidatin e BDI-së, Arkin Jahiji, në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Në një status në rrjetet sociale, Ibrahimi e cilëson këtë veprim si një virtyt të VLEN-it, duke theksuar se për herë të parë një parti shqiptare në pushtet mbështeti kandidatin e një partie shqiptare në opozitë, në vend të partnerit të saj qeveritar.
Ja postimi i plotë:
Zgjedhjet në Bërvenicë, mes tjerash, kanë nxjerrë në pah edhe dy gjëra që nuk duhet harruar: një virtyt të VLEN-it dhe një ves të BDI-së
1. Ndodh për herë të parë që një parti shqiptare që është në pushtet, për motive thjesht patriotike, në vend të partnerit të saj qeveritar, e mbështeti kandidatin e një partie shqiptare në opozitë. Kjo kurrë nuk ka ndodhur në 22-vjeçarin e qeverisjes së BDI-së. (Luten anlistiçinjtë e kësaj partie të hulumtojnë dhe ta gjejnë një rast të tillë!) Kështu jo vetëm që bie poshtë akuza për nënshtrim e servilizëm ndaj VLEN-it, por del në pah një standard patriotik që as vetë Komandanti i asaj qendrës në qendër të Shkupit nuk ka guxuar ta bëjë.
Ky është virtyti i lartë i VLEN-it
2. Përkundër kësaj mbështetjeje, nuk u gjet asnjë eksponent i kësaj partie, përfshirë edhe Komandantin e asaj qendrës në qendër të Shkupit dhe çirakët e tjerë Persona Non Grata ose Persona Grata, që të dalin e ta thonë një “Faleminderit” për VLEN-in. Ky është vesi i poshtër i BDI-së. Megjithatë, siç ka thënë populli, “Çfarëdo që të bësh, ia bën vetvetes!”.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



