Akuza të rënda për korrupsion, shpërthen lufta për tenderin 7.4 mln euro të mbetjeve spitalore

Klodian Tomorri Një tender i Ministrisë së Shëndetësisë me vlerë 7.4 milionë euro për trajtimin dhe asgjesimin e mbetjeve në spitalet publike të Shqipërisë për një periudhë 3 vjeçare ka hapur një luftë të fortë mes kompanive që ofrojnë këtë shërbim në Shqipëri. Një kompani e quajtur V.A.L.E Recycling ka depozituar në Komisionin e Prokurimit […] The post Akuza të rënda për korrupsion, shpërthen lufta për tenderin 7.4 mln euro të mbetjeve spitalore appeared first on Ditar.al.

Akuza të rënda për korrupsion, shpërthen lufta për tenderin 7.4 mln euro të mbetjeve spitalore

Klodian Tomorri

Një tender i Ministrisë së Shëndetësisë me vlerë 7.4 milionë euro për trajtimin dhe asgjesimin e mbetjeve në spitalet publike të Shqipërisë për një periudhë 3 vjeçare ka hapur një luftë të fortë mes kompanive që ofrojnë këtë shërbim në Shqipëri.

Një kompani e quajtur V.A.L.E Recycling ka depozituar në Komisionin e Prokurimit Publik një ankesë zyrtare me akuza të forta për Ministrinë e Shëndetësisë, që sipas saj ka paracaktuar fituesin e tenderit.

“Studimi i tregut dhe i gjithë dokumentacioni vijues është kryer nga Autoriteti Kontraktor, vetëm me një qëllim, pengimin e konkurencës dhe paracaktimin e subjektit fitues, i cili është shoqëria ECO Riciklim shpk. Siç do të provojmë më poshtë, tashmë fituesi i kësaj procedure prokurimi është paracaktuar dhe zhvillimi i tenderit si i hapur është thjesht fiktiv,” thuhet në ankesën që kompania ka depozituar në KPP.

Në fushën e trajtimit dhe asgjesimit të mbetjeve spitalore në Shqipëri rezultojnë se operojë vetëm 4 kompani. Ato janë V.A.L.E Recycling shpk, Medi-Tel shpk, Pura-Medical shpk dhe Eco Riciklim shpk.

Kriteri për të cilin, V.A.L.E Recycling akuzon ministrinë e Shëndetësisë se ka paracaktuar fituesin është ai për kapacitetin e autoklavës. Sipas dokumentave të tenderit, MSH kërkon që kompania fituese të ketë impiant për trajtimin me sterilizim (teknologji autoklavim ose ekuivalente) me kapacitet minimal 110 kg/orë.

“Vetëm shoqëria ECO Riciklim shpk (shoqëria e paracaktuar fituese), rezulton të ketë kapacitetin e kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë si më sipër, ndërsa të tre kompanitë e tjera të marra së bashku nuk e arrijnë dot kufirin minimal të vendosur nga ana e autoritetit kontraktor për kapacitetin e autoklavës,” thotë V.A.L.E Recycling në ankesë.

Madje sipas saj, skandali është edhe më i madh se kaq. “Për çudi, rezulton se kjo shoqëri është licensuar vetëm 3 muaj përpara zhvillimit të procedurës së prokurimit dhe pikërisht me të njëjtin kapacitet të vendosur si kriter nga Ministria e Shëndetësisë në dokumentet e tenderit. Ajo që e bën më dyshuese faktin është se pavarësisht se kjo shoqëri është licensuar në muajin Dhjetor 2022, instalimin dhe inagurimin e impianteve e ka kryer vetem 10 dite para publikimit të zhvillimit të procedurës,” thuhet në ankesën drejtuar KPP.

Luftë e fortë

Tenderi për trajtimin e mbetjeve spitalore u shpall për herë të parë në Mars të këtij viti me firmën e ish sekretares së përgjithshme të ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro, e cila më pas u arrestua për rryshfet ne tendera. Por menjëherë sapo tenderi u shpall në Agjencinë e Prokurimeve, u ankimua në Komisionin e Prokurimeve Publike.

Pas një periudhe disa mujore shyrtimi, KPP vendosi të urdhërojë ministrinë e Shëndetësisë që të ndryshojë kriteret e tenderit. Gjithsesi tenderi u hap sërish në datën 25 shtator. Por edhe këtë radhë, hapja e tenderit është shoqëruar me akuza direkte për korrupsion, teksa përplasja mes kompanive duket e fortë.

Një treg i ndodur   

Shërbimi i asgjesimit të mbetjeve spitalore në Shqipëri ofrohet vetëm nga 4 kompani. Por thuajse të gjitha kanë nga pas rekorde problematike.

Eco Riciklim është një shoqëri e krijuar në vitin 2016. Ajo zotërohet nga dy ortakë, Ervin Meçe me 30 për qind dhe Arbër Teqja me 70 për qind. Ky i fundit rezulton të ketë patur probleme me drejtësinë vite më parë, teksa është arrestuar si i përfshirë në një skemë mashtrimi me rimbursimin e ilaçit Ketosteril.

Pura- Medical është një kompani që zotërohet nga disa aksionerë, ku pjesën më të madhe e ka Armela Vrahoriti. Kjo kompani e ka ndryshuar tre herë emrin, pasi më parë është quajtur Jamarbër group dhe Eco Medica.

Në vitin 2018, kompania u kallëzua në prokurori nga Inspektoriati Shëndetësor për mashtrim me lejen mjedisore dhe se kompania ekzistonte vetëm në letra, ndërsa në terren ishte fantazmë, pa asnjë instalacion për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme.

Sipas Inspektoriatit, kompania kishte mashtruar edhe me adresën e zyrave dhe më vonë rezultoi të ishte regjistruar në Lezhë, në të njëjtën adresë me kompaninë tjetër V.A.L.E Recycling.

Kjo e fundit zotërohet nga Elvis Miri. Në atë kohë Miri pati mohuar që Eco Medica të kishte zyra në ambiente të njëjta me kompaninë e tij, duke pranuar thjesht se me këtë kompani kishte kontratë bashkëpunimi.

Kompania e katërt, Medi-Tel është themeluar në vitin 1997 dhe zotërohet nga Anastas Peçini, një biznesmen i lidhur me spitalin Salus. Emri i zotit Peçini u bë publik, kur djali i tij bleu gjysmën e koncesionit 300 milionë euro të skanimit në dogana për vetëm 4 euro.

Tenderat e mbetjeve spitalore janë shoqëruar gjithmonë me akuza për korrupsion e madje edhe për abuzime mjedisore. Në të kaluarën edhe vetë autoritetet shtetërore kanë konstatuar se kompanitë i kanë asgjësuar mbetjet në kundërshtim me ligjin dhe në zona të banuara duke vënë në rrezik shëndetin e banorëve./Kapitali.al

The post Akuza të rënda për korrupsion, shpërthen lufta për tenderin 7.4 mln euro të mbetjeve spitalore appeared first on Ditar.al.