Sulm para ambasadës izraelite në Beograd, policia vret sulmuesin

Një person është vrarë nga policia gjatë natës para ambasadës së Izraelit në Beograd, në Serbi, pasi sulmoi me thika një efektiv të xhandarmërisë. Ministri në largim i Punëve të Brendshme në Serbi, Ivica Daçiç, e cilësoi ngjarjen si një sulm terrorist, ndërsa autoritetet kanë ngritur në nivelin maksimal alarmin për kërcënimet terroriste.
Sipas deklaratës së Daçiçit, sulmuesi ishte një i mitur, identiteti i të cilit ende nuk është konfirmuar, por dyshohet se ishte nga qyteti i Shabacit. Ai dyshohet se iu afrua efektivit të xhandarmërisë me dy thika.
Efektivi reagoi duke qëlluar për vdekje sulmuesin, në atë që Ministria e Brendshme e përshkroi si vetëmbrojtje. Megjithatë, polici mbeti i plagosur lehtë në fytyrë nga një goditje me thikë. Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës.
Pas sulmit, autoritetet serbe e ngritën nivelin e kërcënimit terrorist në maksimum, duke shpallur “alarmin e kuq”. Sipas ministrit Daçiç, kjo masë parashikon kontrolle më të rrepta sigurie dhe shtim të pranisë së forcave të rendit në objektet e ndjeshme, përfshirë infrastrukturën kritike dhe vendet ku grumbullohen shumë njerëz.
The post Sulm para ambasadës izraelite në Beograd, policia vret sulmuesin appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



