Anita Aziri: Në një kohë kur muzika po komercializohet, vlerësimi për artistët e mirëfilltë shpesh mbetet në hije

Për gjithë artdashësit e këngës dhe fjalës së shkruar, Portalb.mk sjell intervistën me këngëtaren dhe mësimdhënësen Anita Aziri. Ajo  është një zë i fuqishëm, vjen nga familje artistësh dhe ndër vite ka dhënë kontribut në art dhe kulturë përmes krijimtarisë së saj. Ajo foli për sfidat e një artisteje, muzikën dhe projektet e ardhshme të saj.  Portalb.mk: […] The post Anita Aziri: Në një kohë kur muzika po komercializohet, vlerësimi për artistët e mirëfilltë shpesh mbetet në hije appeared first on Ora24.tv.

Anita Aziri: Në një kohë kur muzika po komercializohet, vlerësimi për artistët e mirëfilltë shpesh mbetet në hije

Për gjithë artdashësit e këngës dhe fjalës së shkruar, Portalb.mk sjell intervistën me këngëtaren dhe mësimdhënësen Anita Aziri. Ajo  është një zë i fuqishëm, vjen nga familje artistësh dhe ndër vite ka dhënë kontribut në art dhe kulturë përmes krijimtarisë së saj. Ajo foli për sfidat e një artisteje, muzikën dhe projektet e ardhshme të saj. 

Portalb.mk: Janë bërë shumë vite që të kemi në skenë, si ka qenë e gjithë kjo periudhë për ty, cilat janë sfidat e një artisteje në Maqedoninë e Veriut?

Anita Aziri: Kanë kaluar shumë vite plot sfida, përvoja dhe emocione të bukura në skenë. Për mua, muzika nuk është thjesht një profesion, por një pjesë e pandashme e jetës sime. Kjo periudhë ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm, me momente suksesi, por edhe me sfida që më kanë bërë më të fortë si artiste dhe si person.

Të jesh artiste në Maqedoninë e Veriut ka sfidat e veta, sidomos kur bëhet fjalë për mbështetjen institucionale. Industria muzikore këtu ende po evoluon dhe shpeshherë artistët duhet të punojnë shumë vetë për të krijuar hapsirën e tyre. Megjithatë, dashuria e publikut dhe pasioni për muzikën janë ato që më motivojnë të vazhdoj gjithmonë përpara.

Portalb.mk: Me çfarë po merret Anita së fundmi?

Anita Aziri: Për momentin, vazhdoj punën time si pedagoge e muzikës, ndërsa paralelisht jam e angazhuar në projekte të reja muzikore. Sapo kam përfunduar këngën dhe videoklipin e “Ah, krenaria”, një projekt që më është shumë i dashur. Aktualisht jemi në diskutime me një producent për realizimin e një kënge të re, po ashtu po përgatitem për koncertin tim solistik “Anita Aziri me bendin Artemis”, i cili pritet të jetë një moment i veçantë në karrierën time artistike.

Fotografi nga arkivi personal i këngëtares Anita Aziri. Foto: Anita Aziri Portalb.mk: Jeni duke punuar për koncertin tuaj solistik, na trego pak më tepër kur pritet të mbahet dhe çfarë e pret publikun?

Anita Aziri: Për momentin, po punojmë intensivisht për koncertin tim solistik, të cilin do ta realizoj me grupin “Artemis”. Koncerti pritet të mbahet në muajin maj, dhe për publikun po përgatisim një material muzikor që besoj se do të pëlqehet nga të gjithë. Në këtë koncert do të përpunojmë këngë nga zhanre të ndryshme, por pjesa dërrmuese do të jetë e bazuar në melosin tonë popullor, sjellë me një frymë moderne, duke e pasuruar me ritmet dhe harmonitë e kohës. Ju e dini që unë e kam nisur karrierën me këngën shqipe, dhe edhe pse kam interpretuar këngë me autorësi të ndryshme, fryma e muzikës shqipe do të mbetet në qendër të këtij repertori. Do të përfshij këngët e mia të realizuara me kompozitorë dhe autorë të ndryshëm, si dhe disa këngë të popullarizuara botërore.

Portalb.mk: Sa vlerësohen sot artistët e mirëfilltë marrë parasysh se bota e muzikës sot gjithnjë e më shumë po komercializohet?

Anita Aziri: Sot, në një kohë kur muzika po komercializohet gjithnjë e më shumë, vlerësimi për artistët e mirëfilltë shpesh mbetet në hije. Industria muzikore është e dominuar nga trendet dhe kërkesat e tregut, ku shpesh suksesi matet me klikime dhe viralitet, më shumë sesa me cilësinë artistike. Megjithatë, arti i vërtetë nuk humbet kurrë vlerën e tij. Publiku që e vlerëson muzikën e mirë ekziston dhe gjithmonë do të ketë nevojë për art me shpirt, për këngë që prekin dhe mbesin në kohë.

Fotografi nga arkivi personal i këngëtares Anita Aziri. Foto: Anita Aziri Portalb.mk: Si e sheh të ardhmen e muzikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut?

Anita Aziri: E ardhmja e muzikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut varet shumë nga mbështetja që u jepet artistëve dhe nga hapësirat që krijohen për zhvillimin e skenës muzikore. Ka shumë talente dhe artistë të përkushtuar që punojnë me pasion, por shpesh mungojnë hapësirat, kushtet dhe përkrahja e duhur institucionale për ta çuar muzikën tonë në një nivel më të lartë. Ajo që duhet është të ruajmë dhe zhvillojmë identitetin tonë muzikor, duke e përshtatur me kohën, pa humbur origjinalitetin dhe shpirtin e saj.

Portalb.mk: Ty të kemi tetovare, kështu “has” nga Tetova siç thonë andej nga ju, sa ky qytet u ofron qytetarëve por edhe artistëve mundësi për krijimtari dhe aktivitete të ndryshme?

Anita Aziri: Tetova ofron disa mundësi për qytetarët dhe artistët, por ka ende shumë për të bërë për të krijuar kushte më të mira dhe mbështetje më të fortë për zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike. Për momentin, ka disa iniciativa për aktivitete dhe evente kulturore, si festival te muzikës klasike, festivalin e xhazit, festival te teatrit, te filmit,  ekspozita dhe të tjera, por një nga sfidat kryesore është mungesa e hapësirave të përshtatshme dhe mbështetjes financiare te duhur për realizimin e aktiviteteve të ndryshme. Po ashtu, shumë herë, aktivitetet kulturore dhe artistike mbeten në hije për shkak të mungesës së promovimit dhe interesit të duhur nga publiku. Megjithatë, me angazhimin e grupeve artistike dhe përpjekjet e individëve që kontribuojnë në zhvillimin e kulturës, Tetova ka potencialin për të pasur një skenë artistike më të fortë dhe më të përkrahur.

Anita Aziri. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk Portalb.mk: Cili është mesazhi i Anitës për artistët e rinj, sidomos ata nga qyteti jot?

Anita Aziri: Mesazhi për artistët e rinj, sidomos ata të Tetovës, është që të besojnë te vetja dhe të mos heqin dorë nga pasioni i tyre për art. Pavarësisht sfidave që mund të hasin, është e rëndësishme të vazhdojnë të krijojnë dhe të shprehin identitetin e tyre artistik. Tetova ka një pasuri të madhe kulturore dhe shumë mundësi për të shfaqur talentet, prandaj duhet të kërkojnë mënyra për të përfituar nga këto mundësi dhe për të krijuar hapësira të reja për veprimtari artistike.

The post Anita Aziri: Në një kohë kur muzika po komercializohet, vlerësimi për artistët e mirëfilltë shpesh mbetet në hije appeared first on Ora24.tv.