Mbi 142 mijë aplikime nga mërgata për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 142,803 aplikime nga mërgata për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen më 7 qershor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 142,803 aplikime.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për KosovaPress se për votimin me postë janë funksionalizuar kutitë postare në 23 shtete të botës, përfshirë Kosovën, ndërsa adresat e tyre do të publikohen gjatë javës.
“Në bazë të të dhënave preliminare, nga fillimi i këtij procesi, më 6 maj dhe deri në përfundim të tij, më 17 maj 2026, përmes platformës elektronike janë pranuar 142,803 kërkesa për regjistrim, prej të cilave deri më tani janë aprovuar 109,696, ndërsa 7,325 të tjera janë refuzuar dhe 25,702 janë në pritje për shqyrtim”, ka thënë Elezi.
E, votimi përmes postës siç tha ai, është mënyra më e preferuar për të votuar.
“Nga 109,696 aplikime të aprovuara, 81,901 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 2,855të tjerë për të dërguan pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 24,940 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, ka thënë ai.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi jashtë vendit zhvillohet më herët. Së pari, planifikohet që votimi përmes postës të fillojë më 25 maj dhe të përfundojë më 6 qershor, ndërkaq, votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 6 qershor.
Elezi ka bërë të ditur po ashtu se KQZ do ta rishikojë listën e përfaqësive diplomatike në të cilat do të organizohet votimi më 6 qershor.
“Sipas Rregullores Zgjedhore për Regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, nëse numri i votuesve të regjistruar për votim në një përfaqësi diplomatike është nën 50, votimi fizik në atë përfaqësi diplomatike nuk organizohet dhe votuesit e regjistruar do të kalojnë automatikisht në statusin e votuesve përmes postës dhe për këtë do të njoftohen nga KQZ.”
Ndryshe, të dielën në mesnatë është përmbyllur periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen më 7 qershor.
The post Mbi 142 mijë aplikime nga mërgata për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



