«Après la liberté»: Kosova mes kujtesës, dhimbjes dhe shpresës

Nga demonstratat e vitit 1981 te pajtimi i gjaqeve në Verrat e Llukës, nga Prekazi te lufta dhe proceset në Hagë, romani i Alain Maillard-it sjell historinë e Kosovës përmes fatit të një familjeje, duke prekur edhe përvojën e shqiptarëve në Zvicër.
Ka kujtime që nuk mbeten pas, edhe kur largohemi mijëra kilometra nga vendlindja, ato jetojnë në rrëfimet e prindërve, në fotografitë familjare dhe në heshtjen që bie sa herë përmendet një njeri që nuk u kthye më.
Në romanin Après la liberté – Le roman du Kosovo, të sapobotuar nga i-lirédition, shkrimtari Alain Maillard ndërthur historinë e Kosovës me jetën e familjes Gashi. Përmes Jonës, një gazetare nga Kosova, dhe Hervé-së, një gazetar që jeton në Gjenevë, lexuesi udhëton nëpër dekada që kanë shënuar fatin e një populli, nga kërkesat për barazi deri te sfidat e jetës pas çlirimit.
Rrëfimi na kthen fillimisht në demonstratat e vitit 1981, Jona, ende adoleshente, bashkohet me turmën që thërret «Kosova Republikë!» entuziazmi i asaj dite përplaset me dhunën dhe frikën, duke ndryshuar përgjithmonë mënyrën se si ajo e sheh botën.
Mes ngjarjeve të dhimbshme, pajtimi i gjaqeve në Verrat e Llukës, më 1 maj 1990, sjell një çast shprese, Jona bëhet dëshmitare e një guximi tjetër: atij të njerëzve që, përballë plagëve të së kaluarës, zgjedhin faljen, familjet zgjasin duart drejt njëra-tjetrës, duke u përpjekur t’i japin fund trashëgimisë së hakmarrjes. Në një kohë shtypjeje, pajtimi bëhet edhe një mënyrë për t’u bashkuar.
Më pas vjen Prekazi, me qëndresën e Adem Jasharit dhe tragjedinë e familjes së tij, romani nuk ndalet vetëm te emrat që kanë hyrë në histori, por edhe te njerëzit pas tyre: gratë, fëmijët dhe zbrazëtia që lënë pas humbjet.
Në rrëfim shfaqet edhe figura e Adem Demaçit, si simbol i qëndresës dhe i shqetësimit për atë që do të vinte pas luftës: rindërtimin e vendit, bashkëjetesën dhe shmangien e hakmarrjes.
Për Jonën, lufta merr përmasa thellësisht personale me humbjen e motrës dhe të fëmijëve të saj në Poklek, nga ai çast, historia nuk matet më vetëm me data dhe ngjarje, por edhe me mungesat që mbeten përgjithmonë brenda një familjeje.
Përmes këtyre fateve njerëzore, Alain Maillard e afron lexuesin me një histori ku kujtesa kolektive dhe dhimbja personale ndërthuren vazhdimisht. Dialogu mes Jonës dhe Hervé-së hap gjithashtu një këndvështrim mbi identitetin, gjuhën dhe përkatësinë, duke i parë përvojat e Kosovës edhe përmes syve të një gazetari bask.
Në pjesën e rrëfimit të vendosur në vitin 2028, autori imagjinon zhvillime rreth proceseve në Hagë, duke ngritur pyetje për drejtësinë, përgjegjësinë dhe kujtesën e luftës. Vendimet gjyqësore të paraqitura në këtë pjesë i përkasin trillimit letrar dhe nuk duhen ngatërruar me vendime reale.
Për shqiptarët në Zvicër, romani merr një kuptim të veçantë edhe përmes Selimit, vëllait të Jonës, i cili kërkon azil në Gjenevë, në historinë e tij pasqyrohet përvoja e shumë njerëzve që, edhe pse kanë ndërtuar jetën larg vendlindjes, vazhdojnë të mbajnë lidhje të forta me Kosovën.
Après la liberté nuk është vetëm një rrëfim për rrugën drejt lirisë, është edhe një histori për atë që vjen më pas: jetën që duhet rindërtuar, humbjet që nuk zhbëhen dhe kujtesën që u përcillet brezave.
Titulli i tij e lë të hapur pyetjen më të vështirë: çfarë ndërtojmë me lirinë që kemi fituar?
Libri: Alain Maillard, Après la liberté – Le roman du Kosovo, i-lirédition.
ISBN: 978-2-940743-59-9
Më shumë: https://www.iliredition.com/product/apres-la-liberte-roman-du-kosovo-alain-maillard/
The post «Après la liberté»: Kosova mes kujtesës, dhimbjes dhe shpresës appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



