“Beyond Human Limits”: Arosa Alpine Summit vjen për herë të parë në Zvicër

Rreth 150 vendimmarrës nga fusha e sportit, biznesit, teknologjisë, shëndetësisë dhe politikës u mblodhën më 27 dhe 28 gusht në Arosa, në edicionin e parë të Arosa Alpine Summit. Në mesin e themeluesve të këtij formati të ri është edhe sipërmarrësi shqiptaro-zviceran Besfort Biljali.
Nën moton “Beyond Human Limits”, Arosa Alpine Summit zhvilloi premierën e tij si një forum i ri veror që synon të krijojë ura mes sportit, teknologjisë, biznesit dhe shëndetësisë, duke nxitur ide, iniciativa dhe bashkëpunime të reja.
Në edicionin e parë morën pjesë rreth 150 vendimmarrës. Mes personaliteteve që diskutuan në skenën e samitit ishin Sandra Felix, drejtoreshë e Zyrës Federale të Sportit (BASPO), Stefan Scheiber, kryetar i Bordit të Bühler Group, si dhe kampioni i Ironman, Jan van Berkel.
Besfort Biljali në mesin e katër themeluesve
Pas Arosa Alpine Summit qëndrojnë katër sipërmarrës: Michi Frank, Katia Murmann, Joëlle Frank dhe Besfort Biljali.
Ideja e tyre është krijimi i një formati të ri për vendimmarrësit, ku diskutimet profesionale kombinohen me aktivitetin fizik dhe krijimin e lidhjeve që mund të çojnë në projekte konkrete e të qëndrueshme.
“Ne po krijojmë qëllimisht një format të ri eventi për vendimmarrësit – një hapësirë për perspektiva të reja, lëvizje që bashkon dhe projekte të qëndrueshme”, është shprehur bashkëthemeluesja Katia Murmann.
Motoja “Moving Mountains Together” përmbledh idenë se sporti, shëndeti dhe teknologjia mund të bashkëveprojnë për të ripërcaktuar kufijtë e asaj që njerëzit mund të arrijnë.
Mehmedi, Xhemaili dhe Hasani pjesë e samitit
Dita e parë u karakterizua nga fjalime, diskutime në panele dhe biseda kushtuar ndërmarrësisë, sportit dhe zhvillimeve të reja.
Një nga diskutimet iu kushtua edhe Kampionatit Botëror të Futbollit, me pjesëmarrjen e Chief Sports Officer të Federatës Zvicerane të Futbollit, Marinko Jurendic, si dhe ish-futbollistëve të kombëtares zvicerane Admir Mehmedi dhe Blerim Xhemaili.
Drejtoresha e BASPO-s, Sandra Felix, në fjalimin e saj nënvizoi rëndësinë e aktivitetit fizik dhe bëri thirrje që diskutimi rreth sportit të shkojë përtej “flluskës së sportit”. Ajo i cilësoi Lojërat Olimpike 2038 si një mundësi të madhe për Zvicrën.
Ndërkaq, Stefan Scheiber nga Bühler Group vuri në pah rëndësinë e shëndetit dhe menaxhimit të stresit për kompanitë, duke theksuar se sporti elitar dhe formimi profesional mund të zhvillohen paralelisht.
Nga futbolli dhe hokeji te “breathwork” dhe larja në akull
Dita e dytë solli katër sesione të veçanta: futboll, hokej mbi akull, “breathwork” të kombinuar me larje në ujë të akullt, si dhe “Summit Walk”, që përfshiu edhe një vizitë të udhëhequr në Bärenland.
Secili sesion përfshiu edhe diskutime me ekspertë dhe personalitete të fushave përkatëse. Mes tyre ishin kampioni i Ironman, Jan van Berkel, si dhe Gzim Hasani, themelues dhe CEO i smzh.
Samiti u përmbyll me diskutimin “Bärenrunde”, kushtuar përfshirjes në sport dhe shoqëri, me fokus të veçantë te Special Olympics. Në panel morën pjesë Beat Ritschard, atletja e Special Olympics Silja Horber, sipërmarrësi Hermann Arnold dhe Emelie Dorlin nga Johnson & Johnson, nën moderimin e Nik Hartmann.
Synimi: Arosa Alpine Summit të bëhet takim i përvitshëm i vendimmarrësve
Edicioni i parë u realizua me mbështetjen e partnerëve të shumtë, mes tyre Swica, smzh, UMB, mesoneer dhe Ionix Group, si dhe Komunës së Arosës dhe Arosa Tourismus.
“Standardi ynë është trashëgimia – projekte dhe iniciativa që lindin sepse këtu takohen njerëz që, në rrethana të tjera, ndoshta nuk do të takoheshin kurrë”, ka deklaruar bashkëthemeluesja Joëlle Frank.
Ambicia e organizatorëve është që Arosa Alpine Summit, ngjashëm me forume të tjera të rëndësishme në Zvicër, të shndërrohet në një pikë të qëndrueshme në agjendën e vendimmarrësve zviceranë.
Pas premierës së gushtit 2026, edicioni i dytë i Arosa Alpine Summit është planifikuar për verën e vitit 2027.
Lexoni po ashtu:
Shqiptaro-zviceranët dominojnë në mbrëmjen ekskluzive të SBN në Cyrih
Lexoni po ashtu:
Besfort Bilalli me Lumvin fiton çmime prestigjioze në Zvicër – inovacioni që kursen energji dhe CO₂
The post “Beyond Human Limits”: Arosa Alpine Summit vjen për herë të parë në Zvicër appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



