BSPK me urim dhe thirrje në Ditën e Mësuesit dhe atë të Gruas
Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ka bërë një urim dhe thirrje me rastin e Ditës së Mësuesit dhe Ditën e Gruas. Në komunikatë thuhet se mësuesi, që prej dekadash mban mbi supe peshën e edukimit të brezave, siç thuhet, nuk është mbështetur dhe nuk mbështetet sa duhet. “Kam kënaqësinë e veçantë që në këtë 7

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ka bërë një urim dhe thirrje me rastin e Ditës së Mësuesit dhe Ditën e Gruas.
Në komunikatë thuhet se mësuesi, që prej dekadash mban mbi supe peshën e edukimit të brezave, siç thuhet, nuk është mbështetur dhe nuk mbështetet sa duhet.
“Kam kënaqësinë e veçantë që në këtë 7 Mars, Ditën e Mësuesit, dhe në këtë 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, t’i përcjellë urimet tona më të përzemërta për të gjithë mësuesit dhe për të gjitha gratë shqiptare, të cilët e të cilat me përkushtim, dashuri dhe sakrifica të përditshme ndërtojnë themelet e shoqërisë sonë”.
“Këto dy data të ndritshme na kujtojnë se përparimi ynë si shoqëri nuk mund të matet vetëm me fjalë të mëdha, por me mbështetjen konkrete dhe të merituar për ata që i shërbejnë edukimit dhe përparimit të gjithmbarshëm të shoqërisë dhe vendit tonë”.
“Mësuesi, që prej dekadash mban mbi supe peshën e edukimit të brezave, nuk është mbështetur dhe nuk mbështetet sa duhet. Puna e tij fisnike shpesh përballet me mungesën e vlerësimit, të pagave të ulëta dhe të kushteve të papërshtatshme. Kur themi se edukimi është arma më e fuqishme për të ndryshuar botën, duhet të jemi të gatshëm ta armatosim këtë armë jo vetëm me fjalë, por me mbështetje të qartë dhe të qëndrueshme”, thuhet në komunikatë.
BSPK gjithashtu thotë se gruaja shqiptare, qoftë ajo në shtëpi, në arsim, në shëndetësi e në çdo fushë tjetër të jetës, vijon të përballet me sfida të shumëfishta.
“Po ashtu, gruaja shqiptare, qoftë ajo në shtëpi, në arsim, në shëndetësi a në çdo fushë tjetër të jetës, vijon të përballet me sfida të shumëfishta. Në një kohë kur barazia gjinore duhet të ishte e padiskutueshme, ajo ende lufton për të drejta themelore, për pagë të barabartë, për respekt dhe për mundësi të barabarta. Kjo është një padrejtësi e hapur dhe një barrikadë e papranueshme ndaj përparimit tonë shoqëror”.
“Ne, në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kemi thirrur dhe po thërrasim sot edhe më fuqishëm që të përmbyllet odisejada e gjatë me mësuesit dhe gratë! Të drejtat e tyre janë të fituara me djersë dhe sakrificë – ato nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë dhurata! Ne presim dhe kërkojmë që institucionet të marrin përgjegjësitë që u takojnë, për të ndaluar një herë e mirë këtë rrugëtim të mundimshëm të tyre drejt dinjitetit të plotë dhe të merituar”.
“Le të jetë kjo thirrje një kujtesë për të gjithë ne se pa një arsim të fuqishëm dhe pa një shoqëri ku gratë janë vërtet të barabarta, përparimi ynë do të mbetet një ëndërr e parealizuar. Në këtë frymë, angazhimi ynë është i qartë dhe i palëkundur prandaj të qëndrojmë përkrah mësuesve dhe grave, sot dhe përherë, deri në përmbushjen e plotë të të drejtave të tyre”, thuhet tutje në komunikatë.