Çashka në fokus të KSHZ-së: protesta për mbrojtjen e vullnetit qytetar

Ndërsa Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) po shqyrton pesë ankesa të lidhura me procesin e votimit në komunën e Çashkës, dhjetëra banorë të kësaj komune janë mbledhur sot para selisë The post Çashka në fokus të KSHZ-së: protesta për mbrojtjen e vullnetit qytetar appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Çashka në fokus të KSHZ-së: protesta për mbrojtjen e vullnetit qytetar

Ndërsa Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) po shqyrton pesë ankesa të lidhura me procesin e votimit në komunën e Çashkës, dhjetëra banorë të kësaj komune janë mbledhur sot para selisë së KSHZ-së në Shkup për të protestuar. Ata kërkojnë që “të mos manipulohet me vullnetin e qytetarëve” dhe që “vendimi i komisionit të jetë i drejtë dhe transparent”.

Në rend dite të mbledhjes së KSHZ-së janë pesë ankesa të parashtruara nga VMRO-DPMNE dhe LSDM, që lidhen me parregullsi të supozuara gjatë votimit në disa vendbanime të komunës. Sipas njoftimeve, dy ankesa kanë të bëjnë me qendrën e votimit në Jabollçishtë të Epërme, një në Jabollçishtë të Poshtme dhe një tjetër në fshatin Mellnicë.
Ato kanë të bëjnë kryesisht me funksionimin e pajisjeve biometrike për identifikimin e votuesve, megjithëse të gjithë votuesit kanë qenë të regjistruar në listat e printuara të votimit.

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Suat Shaqiri – fitues në rrethin e parë të zgjedhjeve – ka shprehur dyshime se ankesat janë bërë mbi baza etnike.
“Është për t’u habitur që në të gjitha vendbanimet me shumicë maqedonase gjithçka paska qenë në rregull, ndërsa vetëm në ato shqiptare paskan ndodhur manipulime! Kjo është një gënjeshtër e pastër, një mashtrim institucional,” deklaroi Shaqiri.

Ai u bëri thirrje anëtarëve të KSHZ-së që të veprojnë me profesionalizëm dhe paanshmëri, duke e cilësuar rastin si “një provë për besueshmërinë e institucioneve zgjedhore dhe respektimin e vullnetit qytetar”.

Sipas rezultateve paraprake, AKI ka fituar shumicën në Çashkë që në rrethin e parë, ndërsa në këshillin komunal janë zgjedhur gjashtë këshilltarë shqiptarë nga gjithsej njëmbëdhjetë.

Në një deklaratë të përbashkët, grupi i protestuesve nga Çashka thekson se protesta është “vijimësi e një procesi të rregullt dhe demokratik”, dhe se “nuk do të lejohet që vullneti i lirë i qytetarëve të bëhet peng i interesave politike”.
Ata kërkojnë nga institucionet që të mbrojnë ligjshmërinë dhe integritetin e zgjedhjeve, duke kujtuar se “respektimi i votës është themeli i demokracisë”.

The post Çashka në fokus të KSHZ-së: protesta për mbrojtjen e vullnetit qytetar appeared first on Flaka, në çdo lajm... .