Cila do jetë e ardhmja e rendit botëror
Kërcënimet e tij me tarifat tregtare, kanë ngritur pikëpyetje rreth aleancave të vjetra dhe të ardhmes së sistemit tregtar global. Ndërkohë tërheqja e tij nga marrëveshja e Parisit për klimën dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, e ka dëmtuar bashkëpunimin mbi kërcënimet transnacionale. Perspektiva e një SHBA-je tërësisht të paangazhuar dhe të fokusuar tek vetja, bart [...]Read More...

Kërcënimet e tij me tarifat tregtare, kanë ngritur pikëpyetje rreth aleancave të vjetra dhe të ardhmes së sistemit tregtar global. Ndërkohë tërheqja e tij nga marrëveshja e Parisit për klimën dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, e ka dëmtuar bashkëpunimin mbi kërcënimet transnacionale.
Perspektiva e një SHBA-je tërësisht të paangazhuar dhe të fokusuar tek vetja, bart pasoja shqetësuese për rendin botëror. Është e lehtë të imagjinohet se Rusia do të përfitojë nga situata në përpjekje për ta dominuar Evropën përmes ushtrimit ose kërcënimit të forcës.
Në këto kushte, Evropa duhet të tregojë një unitet më të madh dhe të sigurojë mbrojtjen e saj, edhe nëse mbështetja e SHBA-së do të vazhdojë të mbetet e rëndësishme. Po ashtu, edhe Kina do të jetë akoma më aktive në Azi, ku kërkon hapur dominimin mbi fqinjët e saj.
Në të vërtetë, nga këto ndryshime do preken të gjitha vendet, sepse janë të ndërlidhura marrëdhëniet midis shteteve dhe aktorëve të tjerë të mëdhenj transnacionalë. Një rend ndërkombëtar mbështetet tek një shpërndarje e qëndrueshme të pushtetit ndërmjet shteteve; normat që ndikojnë dhe legjitimojnë sjelljen; dhe institucionet e përbashkëta.
Një rend ndërkombëtar mund të evoluojë gradualisht, pa çuar në një ndryshim thelbësor. Por nëse ndryshon shumë politika e brendshme e fuqisë kryesore, s’mund të thuhet asgjë me siguri. Meqë marrëdhëniet midis shteteve ndryshojnë natyrshëm me kalimin e kohës, rendi është çështje shkalle.
Përpara sistemit modern shtetëror, ai imponohej shpesh me forcë dhe pushtim, duke marrë formën e perandorive rajonale si Kina dhe Roma (ndër shumë të tjera). Ndryshimet në luftë dhe paqe midis perandorive të fuqishme, ishin më shumë çështje gjeografike sesa normash dhe institucionesh.
Vetë perandoritë vareshin nga fuqia e fortë dhe ajo e butë. Kina u mbajt e bashkuar nga norma të forta të përbashkëta, institucione politike shumë të zhvilluara dhe përfitime reciproke ekonomike. Po kështu edhe Roma.
Evropa post-romake kishte institucione dhe norma në formën e papatit dhe monarkive dinastike, gjë që do të thoshte se territoret shpesh ndryshonin qeverisjen përmes martesës dhe aleancave familjare, pavarësisht nga dëshirat e njerëzve të subjektit.
Luftërat motivoheshin shpesh nga interesat dinastike, edhe pse shekujt XVI-XVII sollën luftëra të nxitura nga zelli fetar dhe ambicia gjeopolitike, për shkak të Protestantizmit, ndarjeve brenda Kishës Katolike dhe rritjes së konkurrencës ndërshtetërore.
Në fundin e shekullit XVIII, Revolucioni Francez i prishi normat monarkike dhe kufizimet tradicionale që kishin ruajtur prej kohësh ekuilibrat në Evropë. Edhe pse perandoria e Napoleonit dështoi pas tërheqjes së tij nga Moska, ushtritë e tij fshinë shumë kufij territorialë
dhe krijuan shtete të reja, duke çuar në përpjekjet e para të qëllimshme për të krijuar një sistem shtetëror modern, në Kongresin e Vjenës 1815.
“Koncerti i Evropës” pas Vjenës, pësoi një sërë ndërprerjesh gjatë dekadave në vijim, veçanërisht në vitin 1848, kur revolucionet nacionaliste përfshiu kontinentin. Pas këtyre trazirave, Otto von Bismarck nisi luftëra të ndryshme për të bashkuar Gjermaninë, e cila mori një pozicion qendror të fuqishëm në rajon, pasqyruar në Kongresin e Berlinit të 1878-ës.
Nëpërmjet aleancës së tij me Rusinë, Bismarck prodhoi një rend të qëndrueshëm, derisa Kajseri e shkarkoi atë në vitin 1890. Më pas erdhi Lufta e Parë Botërore, e cila u pasua nga Traktati i Versajës dhe Lidhja e Kombeve, dështimi i së cilës krijoi terrenin për Luftën e Dytë Botërore.
Krijimi i mëvonshëm i Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të Bretton Ëoods (Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe pararendësi i Organizatës Botërore të Tregtisë), shënoi episodin më të rëndësishëm të ndërtimit të institucioneve të shekullit XX-të.
Meqë SHBA ishte lojtarja dominuese, epoka e pas vitit 1945 u bë e njohur si “Shekulli Amerikan”. Fundi i Luftës së Ftohtë në vitin 1991, prodhoi një shpërndarje unipolare të pushtetit, duke lejuar krijimin ose forcimin e institucioneve të tilla si OBT, Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe Marrëveshja e Parisit për klimën.
Edhe para Trump, disa analistë besonin se këtij rendit amerikan po i vinte fundi. Shekulli XXI solli një ndryshim tjetër në shpërndarjen e pushtetit, i etiketuar zakonisht si ngritja (ose më saktë, rimëkëmbja) e Azisë. Ndërsa Azia kishte zënë pjesën më të madhe të ekonomisë botërore në vitet 1800, ajo mbeti prapa Revolucionit Industrial në Perëndim.
Dhe si në rajone të tjera, vuajti nga imperializmi i ri që kishte bërë të mundur teknologjitë perëndimore ushtarake dhe të komunikimit. Tani, Azia po e rimerr statusin e saj si burimi kryesor i prodhimit ekonomik global. Por arritjet e saj më të fundit, kanë ardhur më shumë në kurriz të Evropës sesa të SHBA-së.
SHBA-ja përfaqëson ende çerekun e PBB-së globale, si në vitet 1970. Ndërsa Kina e ka reduktuar ndjeshëm epërsinë e SHBA-së, nuk e ka tejkaluar ende atë ekonomikisht, ushtarakisht apo në aspektin e aleancave. Nëse rendi ndërkombëtar po bie, kjo po ndodh po aq për shkak të politikës së brendshme të Amerikës sa edhe forcimit të Kinës.
Pyetja është nëse po hyjmë në një periudhë krejtësisht të re të rënies së SHBA-së, apo nëse sulmet e administratës së dytë Trump ndaj institucioneve dhe aleancave të Shekullit Amerikan do të jenë vetëm një tjetër rënie ciklike. Këtë gjë, mund të mos e dimë deri në vitin 2029.