Diaspora e Kosovës, potenciali i pashfrytëzuar për diplomaci
Pa dyshim se diaspora e Kosovës është një aset i fuqishëm, por i pashfrytëzuar në forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit, thonë njohësit e kësaj fushe. Dikur forcë lëvizëse e përpjekjeve për pavarësi, sot potenciali i saj mbetet i fragmentuar, sipas tyre, përcjell albinfo.ch. Me një “potencial të jashtëzakonshëm”, diaspora e Kosovës mund të bëhet […] The post Diaspora e Kosovës, potenciali i pashfrytëzuar për diplomaci appeared first on Albinfo.

Pa dyshim se diaspora e Kosovës është një aset i fuqishëm, por i pashfrytëzuar në forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit, thonë njohësit e kësaj fushe. Dikur forcë lëvizëse e përpjekjeve për pavarësi, sot potenciali i saj mbetet i fragmentuar, sipas tyre, përcjell albinfo.ch.
Me një “potencial të jashtëzakonshëm”, diaspora e Kosovës mund të bëhet faktor në forcimin e pozicionit ndërkombëtar të vendit, por i mungon kauza e unifikuar dhe koordinimi i mirëfilltë, thonë vëzhguesit e veprimtarisë së saj.
Valon Murtezaj, aktualisht ligjërues i Diplomacisë në Shkollën e Menaxhmentit IESEG në Paris thotë se Kosova nuk e shfrytëzon siç duhet potencialin e diasporës së saj për të hapur shtigje të reja për diplomaci, në të mirë të vendit.
“Kjo nuk do të thotë se nuk ka veprimtari. Por, veprimtaria e diasporës, e individëve të shquar, e grupeve të ndryshme – qofshin biznesmenë, akademikë, njerëz të kulturës dhe artit – mbetet e fragmentuar dhe e izoluar”, vlerëson Murtezaj.
Në regjistrimin e fundit të popullsisë në Kosovë, në vitin 2024, për herë të parë u përfshinë edhe kosovarët që jetojnë në diasporë.
Prej tyre, u regjistruan rreth 550 mijë, sipas të dhënave që publikoi Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Por, besohet se numri i personave me prejardhje nga Kosova, që jetojnë në diasporë, është shumë më i lartë, vetëm se ata nuk e kanë shtetësinë kosovare.
Cili ishte dhe është roli i diasporës në diplomaci?
Viteve të fundit, diaspora ka luajtur rol në ndarjen e ulëseve në Kuvendin e Kosovës, përmes votës.
Për zgjedhjet e fundit parlamentare, që u mbajtën më 9 shkurt, u regjistruan afro 105 mijë votues nga diaspora, prej të cilëve votuan rreth 80.000 – disa në përfaqësi diplomatike, të tjerët me postë.
Partitë kryesore politike, para dhe gjatë fushatës zgjedhore, organizuan disa tubime me kosovarët në diasporë – sidomos në Evropë – duke kërkuar mbështetje për vota.
Profesori Murtezaj thotë se, marrë parasysh potencialin e madh të diasporës, qasja e partive dhe institucioneve të Kosovës ndaj saj është paradoksale, sepse ajo shihet vetëm si burim votash.
“[Votimi] është minimumi që mund ta bëjë individi. Angazhimi dhe bashkëpunimi do të duhej të ishin shumë përtej kësaj, sepse zgjedhjet janë një ditë në katër vjet, ndërsa kontributi potencial i diasporës është 365 ditë apo tërë jetën”, thotë Murtezaj.
Ai vlerëson se shembulli më i mirë i fuqisë së veprimit të diasporës është periudha e viteve ’90.
Asokohe, Kosova gjendej nën regjimin serb të Sllobodan Millosheviqit, aparati shtetëror i të cilit ushtroi dhunë dhe la pa punë shumicën e madhe të kosovarëve.
Gjatë asaj kohe, remitencat nga diaspora ishin ndër burimet kryesore të mbijetesës për shqiptarët e Kosovës, të cilët organizuan institucionet e tyre paralele.
Edhe këto lëvizje politike në atë periudhë financoheshin kryesisht nga diaspora, e cila lobonte për çështjen e Kosovës gjetkë në botë.
Avni Spahiu, ish-ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara dhe në Turqi, e përshkruan si të pazëvendësueshëm rolin e diasporës shqiptare në SHBA për çështjen e Kosovës, gjatë viteve 90.
Ai thekson se diaspora mund ta luajë këtë rol edhe sot, në kohën kur “lobimi në Uashington është në pikën më të ulët”.
Përmes diasporës, ai thotë se Kosova mund të iniciojë riformatimin e “grupit shqiptar të miqësisë”, që aktualisht mungon në Kongresin amerikan, por që dikur përbëhej nga kongresistë si: Eliot Engel, Tom Lantos, Bob Dole e të tjerë.
“Tash, sa mund të bëjë diaspora? Ata janë edhe amerikanë dhe kanë të drejtë të kërkojnë të kontaktojnë me Kongresin, ta bëjnë ‘grupin e miqësisë’. Tash kemi nevojë”, thotë Spahiu për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se diaspora e Kosovës ka individë me ndikim që mund të ndihmojnë në krijimin e “grupeve të miqësisë” edhe në parlamentet e vendeve të tjera perëndimore.
Gjatë viteve ‘80 dhe ‘90, në vendet perëndimore ekzistonin shumë shoqata, klube dhe organizata të tjera të diasporës së Kosovës, që operonin kryesisht mbi bazën e angazhimit vullnetar.
Krasniqi, nga organizata Germin, thotë se ato ishin pikëtakime jo vetëm për ruajtjen e kontakteve ndërmjet shqiptarëve të Kosovës, por edhe për organizimin e ndihmave financiare për vendin, si dhe për krijimin e lidhjeve me kanalet politike dhe diplomatike të vendeve ku jetonin.
Sipas tij, shoqata e organizata të tilla ekzistojnë edhe sot, por nuk mund të pritet që të veprojnë siç vepruan në vitet ‘90.
The post Diaspora e Kosovës, potenciali i pashfrytëzuar për diplomaci appeared first on Albinfo.