Dobësitë kibernetike në sistemet solare rrezikojnë rrjetin elektrik të Zvicrës

Dobësitë kibernetike në sistemet solare rrezikojnë rrjetin elektrik të Zvicrës

Instituti Kombëtar i Testimit për Sigurinë Kibernetike (NTC) ka analizuar 11 produkte të përdorura gjerësisht në Zvicër, përfshirë shtatë inverterë dhe katër sisteme të menaxhimit të energjisë nga tetë prodhues. Gjatë testimeve janë zbuluar më shumë se 50 dobësi sigurie, prej të cilave shtatë janë klasifikuar si kritike dhe gjashtë si të rënda, përcjell albinfo.ch.

Pesë nga 11 pajisjet e testuara kishin të paktën një dobësi serioze. Ndër problemet e identifikuara ishin fjalëkalimet e paracaktuara, qasjet e pasigurta për mirëmbajtje, mungesa ose niveli i dobët i enkriptimit të komunikimit dhe ndërfaqe që në disa raste nuk mund të çaktivizoheshin.

Shqetësimi lidhet veçanërisht me inverterët, pajisjet që shndërrojnë energjinë e prodhuar nga panelet solare në rrymë të përshtatshme për rrjetin elektrik. Shumë prej tyre janë të lidhur vazhdimisht me internetin dhe mund të kontrollohen nga distanca. Sipas ekspertëve, kjo mundësi mund të shfrytëzohet edhe për manipulimin ose çaktivizimin e pajisjeve.

Në Zvicër janë të lidhura me rrjetin më shumë se 338 mijë sisteme fotovoltaike. Zyra Federale e Energjisë vlerëson se rreth 100 mijë instalime përdorin inverterë me origjinë nga Kina, ndërsa pjesa e tregut e dy prodhuesve kinezë, Huawei dhe Sungrow, ka kaluar 60 për qind. Ekspertët paralajmërojnë se një çaktivizim i koordinuar i një numri të madh pajisjesh mund të ndikojë në stabilitetin e rrjetit elektrik.

Industria zvicerane e energjisë solare po kërkon standarde detyruese të sigurisë kibernetike dhe krijimin e një regjistri qendror për pajisjet që mund të kontrollohen nga distanca. Edhe Zyra Federale e Energjisë pranon se rreziku i një sulmi të koordinuar nuk mund të përjashtohet./albinfo.ch

 

The post Dobësitë kibernetike në sistemet solare rrezikojnë rrjetin elektrik të Zvicrës appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.