A është ky provokimi i radhës? Kryetari i Gazi Babës urdhëron: Çdo të hënë nxënësit do ta nisin mësimin me himnin maqedonas

A është ky provokimi i radhës? Kryetari i Gazi Babës urdhëron: Çdo të hënë nxënësit do ta nisin mësimin me himnin maqedonas

Shkup – Një vendim i kryetarit të Komunës së Gazi Babës, Boban Stevkovski, ka hapur pikëpyetje të reja rreth trajtimit të nxënësve shqiptarë në shkollat fillore të kësaj komune.

Stevkovski ka njoftuar se çdo të hënë mësimi në shkollat fillore të Gazi Babës do të nisë me këndimin e himnit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vendimi, rrjedhimisht, prek edhe nxënësit shqiptarë që ndjekin mësimin në gjuhën shqipe.

Kryetari i komunës e arsyeton vendimin me respektimin e simboleve shtetërore dhe edukimin patriotik të fëmijëve.

“Himni nuk është vetëm një këngë. Është simbol i lirisë sonë, shtetësisë, historisë dhe sakrificës së brezave që luftuan për një Maqedoni të pavarur dhe sovrane”, shkruan Stevkovski.

Ai shton se dashuria për vendin duhet të kultivohet që në moshë të vogël, në familje, shkollë dhe jetën e përditshme.

Por në njoftimin e tij, nuk përmenden fare simbolet kombëtare të shqiptarëve, përfshirë gjuhën dhe simbolet e tyre, ndonëse në disa shkolla të komunës mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.

Vendimi ka ngritur kështu pyetjen nëse bëhet fjalë për një masë të zakonshme për respektimin e simboleve shtetërore apo për një qasje që mund të perceptohet si imponim ndaj nxënësve shqiptarë.

Stevkovski e mbyll njoftimin me mesazhin: “Maqedonia është gjithçka që kemi.”


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.