Falimentimet e bizneseve në Zvicër mund të arrijnë në 15 mijë gjatë vitit 2026

Zvicra mund të regjistrojë një numër rekord falimentimesh të bizneseve gjatë vitit 2026. Siguruesi i kredive Allianz Trade parashikon rreth 15 mijë raste, që do të përbënin rritjen e gjashtë radhazi, raporton Ticinonews, duke iu referuar studimit të publikuar më 27 tetor, shkruan ticinonews.ch, transmeton albinfo.ch.
Sipas kompanisë, një faktor përcaktues është legjislacioni i ri për paaftësinë paguese, në fuqi që nga viti 2025. Jan Möllmann, përgjegjës i Allianz Trade për Zvicrën, shpjegon se ndryshimi ligjor sjell shtimin e ndërmarrjeve ndaj të cilave hapet procedurë falimentimi. Krahas këtij ndikimi, bizneset përballen edhe me sfida ekonomike e financiare.
Prirja e rritjes vërehet edhe ndërkombëtarisht. Studimi parashikon shtim të falimentimeve në nivel global me 5 për qind gjatë vitit 2026 dhe me 1 për qind në vitin 2027. Pasiguria ekonomike, kostot e larta të energjisë dhe rritja e normave të interesit përmenden si faktorë që rëndojnë mbi ndërmarrjet.
Për Zvicrën, Allianz Trade pret që numri i rasteve të stabilizohet në nivel të lartë gjatë viteve 2027 dhe 2028. Ndërsa në shkallë globale, kulmi i falimentimeve parashikohet të shtyhet deri në vitin 2028, përpara një rënieje të lehtë.
The post Falimentimet e bizneseve në Zvicër mund të arrijnë në 15 mijë gjatë vitit 2026 appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



