Fërçkoski bombastik: “Përkulemi para serbëve dhe rusëve, ndërsa refuzuam dorën e …

Profesori universitar dhe ish-ministri Ljubomir Fërçkoski ka kritikuar ashpër qasjen e Kisha Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit ndaj Patriarkanës Ekumenike, duke vlerësuar se refuzimi i nismës nga Kostandinopoja e ka futur procesin e njohjes së plotë të autoqefalisë në ngërç.
Sipas Fërçkoskit, njohjet nga Beogradi dhe Moska nuk përbëjnë zgjidhje përfundimtare, ndërsa Kisha ende nuk e ka siguruar njohjen e përgjithshme.
“Autoqefalinë e kemi të njohur nga serbët dhe rusët, por jo nga të tjerët. Ata që duhej të na e jepnin i zemëruam dhe qëlluam veten në gju”, deklaroi profesor dr. Ljubomir Fërçkoski.
Ai e cilëson si paradoks faktin që sot Kisha tregohet e afërt me Serbinë dhe Rusinë, për të cilat thotë se historikisht kanë qenë kundërshtare të pavarësisë kombëtare dhe kishtare maqedonase.
“Historikisht, serbët dhe rusët kanë qenë gjithmonë kundër një shteti të pavarur maqedonas dhe një Kishe maqedonase. E tani ne përkulemi para tyre”, tha Frçkoski.
Sipas tij, pengesa kryesore ishte politike: mosmarrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit.
“Drejtimi i drejtpërdrejtë te Kostandinopoja ishte i vështirë për shkak të kontestit me Greqinë, pasi Kisha greke ka ndikim te Patriarku Ekumenik. Edhe kjo ishte e bllokuar derisa kontesti u zgjidh në vitin 2018 me Marrëveshjen e Prespës”, ka shpjeguar ai.
Frçkoski vlerëson se zgjidhja e kontestit politik me Greqinë luajti një rol të rëndësishëm në zhbllokimin e çështjes së Kishës maqedonase.
“55 vjet në situatë të ngrirë”
Si rezultat i këtyre dy bllokadave, Frçkoski thotë se Kisha maqedonase për 55 vjet mbeti në një “situatë të ngrirë si kishë skizmatike”.
Ai e krahasoi këtë pozitë me atë të Kishës ukrainase dhe asaj malazeze, të cilat, sipas tij, gjithashtu u përballën me një pozitë të vështirë dhe izolim brenda botës ortodokse.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



