Matematika e dimrit: Sa do të kushtojë ngrohja sivjet me pelet, drunj apo rrymë?

Matematika e dimrit: Sa do të kushtojë ngrohja sivjet me pelet, drunj apo rrymë?

Meqë temperaturat ditore ende të kujtojnë verën, për mijëra amvisëri në Maqedoninë e Veriut shtatori është muaji kur fillon matematika e dimrit. Verifikohen çmimet e peletit dhe drunjve, servisohen inverterët dhe kalkulohet se sa pjesë e buxhetit familjar do të zhduket me ditët e para të ftohta, përcjell INA.

Sa mund të kushtoj ngrohja me pelet

Çmimet orientuese të tregut për peletin në fund të gushtit lëvizin nga rreth 14.500 deri në 22.000 denarë për ton. Një thes prej 15 kilogramësh, sipas këtij diapazoni, kushton përafërsisht nga 218 deri në 330 denarë, edhe pse çmimi përfundimtar me pakicë varet nga prodhuesi, klasa dhe sasia.

Për një banesë apo shtëpi më të vogël prej rreth 65 metrash katrorë, me izolim mesatar, mund të nevojiten përafërsisht tre deri në pesë tonë pelet gjatë sezonit. Kjo do të thotë një kosto prej rreth 43.500 deri në 110.000 denarë.

Në një shtëpi me izolim të dobët, sezon më të gjatë apo mbajtje të vazhdueshme të një temperature më të lartë, konsumi mund të rritet edhe më tej. Në faturë duhet të shtohen edhe dërgimi, paleta dhe shkarkimi, nëse nuk janë të përfshira në çmimin e ofruar.

Peleti më i lirë nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe dimër më i lirë. Produkti me më shumë lagështi, pluhur dhe hiri mund të ketë djegie më të dobët, konsum më të madh dhe më shpesh të shkaktojë probleme në kaldajë. Prandaj, para blerjes së të gjithë sasisë sezonale, është e rëndësishme të verifikohen klasa, deklarata dhe sjellja e peletit në sobën konkrete.

Drunjtë mbeten më të lirë

Në shpalljet aktuale, druri i zjarrit nga dushku dhe ahu mund të gjendet me çmim prej rreth 4.200 denarësh për metër hapësinor (kubik). Por prap në të shumtën e rasteve 6.000 denarë apo mbi 100 euro. Sidoqoftë, çmimi ndryshon sipas vendit të dorëzimit, llojit dhe tharjes së drurit, si dhe sipas asaj nëse janë të përfshira transporti, prerja dhe çarja.

Nëse për ngrohjen e një shtëpie prej 60 deri në 70 metrash katrorë shpenzohen gjashtë deri në dhjetë metra hapësinorë, kostoja sezonale vetëm për drunjtë do të kapte përafërsisht nga 25.000 deri në 60.000 denarë.

Fatura përfundimtare mund të jetë më e lartë nëse drunjtë duhet të priten, çahen dhe të sjellën papritmas deri në shtëpi. Nevojiten gjithashtu hapësirë e përshtatshme për ruajtje dhe kohë e mjaftueshme që druri të thahet. Druri i lagur krijon më pak nxehtësi, më shumë tym dhe më shumë mbetje në oxhak.

Inverteri është më i lirë vetëm në kushtet e duhura

Tek ngrohja me klimë inverter nuk ka blerje të karburantit paraprakisht, por kostoja arrin çdo muaj përmes faturës së energjisë elektrike.

Për një shtëpi prej rreth 65 metrash katrorë, konsumi shtesë sezonal mund të lëvizë me përafërsi nga 2.000 deri në 4.000 kilovat-orë. Në një banesë të izoluar mirë, me pajisje të dimensionuar drejt dhe efikase, kostoja shtesë për energjinë elektrike mund të mbetet brenda kornizave prej rreth 20.000 deri në 35.000 denarë për sezonin. Por shtëpitë me hapësira më të mëdha shkojnë me çmime për një muaj rreth 15.000-20.000 denarë. (INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.