Filharmonia e Kosovës triumfon në Krakov, muzika shqiptare duartrokitet në Poloni

Filharmonia e Kosovës triumfon në Krakov, muzika shqiptare duartrokitet në Poloni

Muzika u bë urë lidhëse mes Kosovës dhe Polonisë mbrëmjen e kaluar, kur Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës prezantuan një program të veçantë në Krakov, duke fituar vlerësimin e publikut polak, transmeton albinfo.ch.

Nën drejtimin e dirigjentit Wojciech Czepiel, ansambli kosovar solli në skenë vepra të rëndësishme nga repertori polak dhe krijimtaria muzikore shqiptare, duke dëshmuar potencialin e artit për të afruar kultura dhe tradita të ndryshme.

Koncerti u organizua në bashkëpunim me Filharmoninë e Krakovit dhe Institutin e Dialogut Ndërkulturor “Papa Gjon Pali II” në Krakov. Krahas orkestrës dhe korit, para publikut u paraqitën edhe solistët Joanna Konarzewska në violinë, Adelina Pajoja në soprano, Ivana Hoxha në mezzosoprano, Piotr Kalina në tenor dhe Arkadiusz Jakus në bas-bariton.

Programi muzikor nisi me “Ciaccona” nga “Requiemi polak” i kompozitorit Krzysztof Penderecki, vepër e krijuar si homazh për Papa Gjon Palin II. Më pas, publiku pati mundësinë të dëgjonte poemën simfonike “Skënderbeu” të kompozitorit kosovar Fahri Beqiri, e cila ndërthur traditën muzikore perëndimore me elemente të kulturës kombëtare shqiptare.

Në vazhdim u interpretua edhe “Koncerti për violinë nr. 1” i Karol Szymanowskit, një prej veprave të rëndësishme të muzikës koncertante polake.

Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte interpretimi i veprës “Homagium Matri Teresiae” të kompozitorit kosovar Mendi Mengjiqi, kushtuar Nënë Terezës. Kjo vepër ishte interpretuar për herë të parë në Krakov në vitin 1999, po ashtu nën drejtimin e dirigjentit Wojciech Czepiel.

Rikthimi i saj në skenën e Krakovit solli në vëmendje lidhjen mes krijimtarisë muzikore nga Kosova dhe trashëgimisë së Nënë Terezës, figurës me rëndësi të veçantë ndërkombëtare.

Koncerti shënon një tjetër paraqitje të rëndësishme të Filharmonisë së Kosovës në skenën ndërkombëtare, duke promovuar krijimtarinë e kompozitorëve shqiptarë dhe duke forcuar bashkëpunimin kulturor mes Kosovës dhe Polonisë./Albinfo.ch

The post Filharmonia e Kosovës triumfon në Krakov, muzika shqiptare duartrokitet në Poloni appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.