Filmi “SARA” i Burim Halitit përzgjidhet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Sportiv në Milano

Filmi dokumentar “SARA”, me regji të Burim Halitit, producente Ganimete Savën dhe prodhim të “Art Without Limit”, është përzgjedhur në Seleksionimin Zyrtar të edicionit të 44-t të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Sportiv “SPORT MOVIES & TV 2026”, që mbahet nga 30 tetori deri më 2 nëntor në Milano të Italisë, transmeton albinfo.ch.
Dokumentari do të shfaqet më 30 tetor, në orën 12:30, në kinemanë “Cinema Centrale – Sala 2”, duke prezantuar krijimtarinë filmike nga Kosova në një ngjarje ndërkombëtare që bashkon sportin, filmin dhe kulturën.
Sipas organizatorëve, në edicionin e këtij viti janë përzgjedhur 120 vepra nga gjithsej 912 aplikime. Festivali organizohet nga Federata Ndërkombëtare e Kinemasë dhe Televizionit Sportiv (FICTS) dhe shënon finalen e rrjetit ndërkombëtar “World FICTS Challenge”, i cili përfshin 27 festivale në pesë kontinente.
Në procesin e dërgimit të filmit për shqyrtim ka kontribuar Komiteti Olimpik i Kosovës, ndërsa përzgjedhja në programin zyrtar është bërë nga organizatorët e festivalit.
“SPORT MOVIES & TV” është festival i njohur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe promovon vepra audiovizuale që trajtojnë sportin dhe vlerat e tij kulturore e shoqërore.
Shfaqjet e festivalit zhvillohen në disa hapësira kulturore të Milanos, ndërsa ngjarja përmbyllet më 2 nëntor me ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Auditorium Testori, në kompleksin Palazzo Lombardia.
Përzgjedhja e dokumentarit “SARA” në programin zyrtar përbën një mundësi të rëndësishme për prezantimin e kinematografisë kosovare në një platformë ndërkombëtare dhe promovimin e krijimtarisë vendore përtej kufijve të Kosovës./Albinfo.ch
The post Filmi “SARA” i Burim Halitit përzgjidhet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Sportiv në Milano appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



