Një sakicë nga Maqedonia
Shkruan: Kimete Berisha
Një sakicë nga Maqedonia
…
Pas shkrimit tim për gratë shqiptare në përgjithësi,
që jetojnë nën sundimin e burrave të tyre,
vetëm nga Maqedonia e Veriut më erdhën sharje, fyerje e kërcënime.
Disa burra u prekën aq rëndë nga e vërteta, sa vendosën të ma dëshmonin lirinë e grave të tyre me sakica e thika.
Sidomos e kishin zanat të më quanin “kurvë”.
E valla, s’jam.
Suphan Allah.
…
Por u prekën edhe disa robëresha që u dolën në mbrojtje pushtuesve të tyre.
Ato, për gjynah, as që e dinë se janë nën sund.
Ose edhe u vjen lezet.
Se gjithmonë ka pasur e ka mazohiste.
…
– Tani kam disa fjalë për ta.
Kur t’i zgjidhni padrejtësitë që ju bëhen në shtetin maqedon,
kur ta siguroni përdorimin e barabartë të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet,
kur ta përdorni flamurin dhe simbolet kombëtare pa iu nënshtruar kufizimeve të rendit maqedon,
kur të kërkoni drejtësi për shqiptarët e burgosur padrejtësisht, ejani më shani mua.
Ka shqiptarë që dergjen në burg, sepse deshën t’ju çlirojnë, e ju s’guxoni as t’i qani.
Por guxoni t’i shani gratë.
…
Trajtoheni si “pakicë” ose si bashkësi me përqindje, e jo si popull shtetformues me të drejta të plota simetrike.
Ju nuk trajoheni në mënyrë të barabartë as në procese gjyqësore të ndjeshme, ku ka mungesë paanshmërie ndaj qytetarëve shqiptarë.
Kur të çliroheni nga sundimi që denonconi (në kafehane), ejani të më tregoni sa të lirë jeni.
…
Ju s’guxoni ta sundoni shtetin maqedon.
Prandaj i sundoni gratë tuaja.
Ju nën pushtetin maqedon,
gratë nën pushtetin tuaj.
…
Mos më trego ti mua çka është liria.
As kombëtare. As individuale.
Mua mos.
Mos më shitni trimëri mua.
Ose më shitni, se nuk ju lajmëroj te policia maqedone për kërcënimet që po m’i bëni.
Ata mezi s’presin…
…
Që jeni të pagdhendur dhe meshkuj të ligj, pa asnjë trohë burrërire, e vërtetoni edhe me komentet tuaja barbare, me sakica e me thika.
E masakroni të vërtetën me ymyd që e zhdukni.
Por, për të zhdukur shkrimet e mia, ti duhet të jesh i lirë.
…
Ti je mashkull i keq.
Je dembel.
Përton edhe të çlirohesh.
Ti kërkon për vete të drejta nga shteti dhe ia mohon gruas në shtëpi.
Kur të çliroheni nga maqedonët, ejani më shani mua.
…
P.S. Në fakt, ju po kërcënoni një Loçkë që e ka mbijetuar luftën.
Ka shkruar kundër pushtuesit serb edhe në luftë.
E sot, i pushtuari nga Maqedonia e kërcënon një shpirt të Lirë shqiptar që e ruan NATO nga do burra të tjerë.
ПАТЕТИЧНО.
…
AUTOKRITIKË
Komentet mbyllur.
Jo nga frika.
Nga përbuzja
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.