3.000 euro gjobë për shtetasin e Serbisë, dy herë u kap nga “Safe City” duke vozitur mbi 160 km/h

3.000 euro gjobë për shtetasin e Serbisë, dy herë u kap nga “Safe City” duke vozitur mbi 160 km/h

Një 34-vjeçar, shtetas i Serbisë, është dënuar me dy gjoba prej 1.500 eurosh secila, pasi në dy raste ka vozitur me më shumë se dy herë shpejtësinë e lejuar në autostradën A1 te Demir Kapi.

D.P. është arrestuar më 29 gusht në orën 23:20 në vendkalimin kufitar Tabanovc, gjatë daljes nga shteti. Gjatë kontrollit të veturës së tij “Skoda” me targa serbe, përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”, është vërtetuar se në dy raste është evidentuar për vepër penale drejtim i pamatur i mjetit motorik.

Më 22 gusht në orën 13:42, te Demir Kapia, ai ka vozitur me 163 kilometra në orë në një vend ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 kilometra në orë. Dy ditë më parë, në të njëjtin aks, ai ishte regjistruar me një shpejtësi prej 169 kilometrash në orë.

Gjykata Themelore e Negotinës i ka shqiptuar dy dënime prej 1.500 eurosh secila për të dyja veprat penale.

Në shtatë ditët e fundit, në aksin Gradsko–Demir Kapia janë parashtruar pesë kallëzime penale kundër shtetasve të huaj për drejtim të pamatur të mjetit motorik.

Përveç serbëve, mes kryerësve ka pasur edhe shtetas të Holandës dhe Suedisë. Katër prej tyre kanë marrë gjobë maksimale prej 1.500 eurosh, ndërsa njëri është dënuar me 1.000 euro.

Të gjitha gjobat janë paguar menjëherë.

Në rastin e dytë, D.P. ka qenë vetëm një kilometër në orë larg kufirit, pas të cilit, sipas kushteve ligjore, ka mundur të pasojë edhe konfiskimi i automjetit.

Në vend të 169, sikur të kishte vozitur 170 kilometra në orë, do ta kishte tejkaluar shpejtësinë e lejuar për 90 kilometra në orë.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.